Lajme
VIDEO | “Kaq kam mund të bëj Adriatik! A e kupton?” | Si arsyetohet Kurti kur i jep fund mashtrimit të tij?
Demokracia
14:20 | 17 Mars 2024

Share:

Ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka një barrë të rëndë mbi supe për të arsyetuar pranimin e të gjitha atyre çështjeve që i kundërshtonte dhe zbatimin e tyre e bllokonte përmes dhunës.

Kryefjalë e kundërshtimeve të tij, padyshim se ka qenë dialogu Kosovë – Serbi dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, shkruan Demokracia.com.

Të gjitha ato marrëveshje që duke i kundërshtuar e sollën në pushtet Kurtin dhe Vetëvendosjen, tani po i mbron fuqishëm, ndonëse shumë prej tyre kanë marrë trajtë të rrezishme në përmbajtjen e re të negociuar nga Kurti.

Demokracia.com do të sjellë dy raste sesi Kurti u arsyetua kur i dha fund mashtrimit të tij.

30 MARS 2023 – KURTI PRANON ZAJEDNICËN, TË KEQËN QË “DO TA SJELLË RUSINË TE URA E IBRIT” DHE QË “DO TË SJELLË LUFTË PËR BREZIN E ARDHSHËM”

Më 30 mars 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte shfaqur në një intervistë televizive në Rubikon të Klan Kosovës, pasi arriti Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin për zbatimin e saj [Ohër, 18 mars 2023], ku pjesë e pandashme e tyre ishte edhe Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të cilën e kishte kundërshtuar që nga dita e parë e saj, deri sa fitoi zgjedhjet dhe u bë kryeministër.

Në marrëveshjen e 27 shkurtit, Kurti kishte pranuar që të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në dialog, në mesin e të cilave edhe Zajednicën / Asociacionin.

Ai e kishte vendosur këtë dakordim në nenin 10, deri sa Zajednicën / Asociacionin e kishte fuqizuar me nenin 7 përmes trajtës së Vetëmenaxhimit, që shihet si një derë që siguron autonominë për serbët e Kosovës.

Me pranimin e Zajednicës / Asociacionit, Kurti i kishte dhënë fund mashtrimit dhe kundërshtimit gati një dekadë të kësaj marrëveshjeje. Por, ajo që binte në sy ishte mënyra sesi Kurti e arsyetonte dorëzimin e tij dhe pranimin e një marrëveshjeje kundër së cilës kishte mbajtur fjalime të zjarrta në demonstrata, në Kuvend e studio televizive.

Kjo është biseda që zhvillohet mes kryeministrit Kurti dhe gazetarit Kelmendi:

ALBIN KURTI: “Plani A i Serbisë – Beteja kryesore e fqinjit tonë verior ka qenë që zbatimi i Asociacionit të jetë parakusht për çfarëdo fillimi të bisedimeve. Kjo ka rënë. Plani B ka qenë që Asociacioni të vendoset në Preambulë. Edhe kjo ka rënë. Plani C ka qenë që të vendoset neni 1 ose 2. Ka rënë. Plani D, ose Ç, ka qenë që të vendoset Asociaioni nen i veçantë. Sot e ke planin franko-gjerman, të bërë propozim të Bashkimit Evropian, të shndërruar në marrëveshje midis neve, ku Asociacioni është njëri prej 39 marrëveshjeve në nenin 10. KAQ KAM MUND TË BËJ ADRIATIK. A e kupton?”.

ADRIATIK KELMENDI: “Kryeministër, ju me këtë përshkrim po thoni që: U provua të hyhet në këtë zyrë nga ajo dritare – nuk e lamë, nga ajo derë – nuk e lamë, nga ajo dera mbrapa – nuk e lamë, nga tavani – nuk e lamë, u gjetë pastaj që të hyjë dikur vonë këtu nga kjo derë… Është e rëndësishme a jemi këtu, apo nuk jemi?! Asociacionin e kemi këtu, pavarësisht a ishte e para, a ishte A. B. C., a ishte pika 10 apo në mesin e 39 pikave tjera”.

ALBIN KURTI: “Një thes me 39 marrëveshje e kam trashëguar…”.

ADRIATIK KELMENDI: “Por, ju vetëm një e keni luftuar aq ashpër sa të protestoni gjatë tërë kohës”.

ALBIN KURTI: “Se ka qenë më e keqja. Po 39 janë”.

ADRIATIK KELMENDI: “Por, e pranuat edhe atë”.

ALBIN KURTI: “Unë e kam parë me datën 2 tetor 2015 në marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, ku thotë që Kosova zotohet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut. Pra, MSA-në, lidhjen tonë me Bashkimin Evropian e kanë lidhur me këtë thesë”.

ADRIATIK KELMENDI: “Këtë e kemi ditur që nga votimi i MSA-së në Kuvendin e Kosovës. Pse atëherë gjithë ajo betejë, gjithë ai gaz lotsjellës, gjithë ato protesta, kur e paskemi ditur se e kemi në MSA dhe s’mund t’i ikim…”.

13 MARS 2024 – KURTI PRANON TA ZBATOJË VENDIMIN E MILLOSHEVIQIT PËR MANASTIRIN E DEÇANIT

Më 13 mars 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dhënë fund mashtrimit disavjeçar, duke njoftuar nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’i regjistrojë në emër të Manastirit të Deçanit tokën 24 hektarëshe që Sllobodan Millosheviqi ia kishte dhuruar në vitin 1997.

Ndonëse për vite të tëra këtij vendimi i referohej me fjalët “Vendim i Millosheviqit”, kryeministri Kurti e ka arsyetuar pranimin e zbatimit të këtij vendimi me arsyetimin se me këtë është kushtëzuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qeverisë i është bërë e qartë nga grupet politike kryesore në Asamble që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit”, deklaronte Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Më tej, Kurti që për vite të tëra si opozitar kishte bllokuar proceset e ndryshme në Republikën e Kosovës, arsyetohej se “askush nuk ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë”.

“Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Republikës së Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit tonë, askush nuk ka të drejtë t’ia humbasë qytetarëve të Republikës të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasë Gjykatës Evropiane për të Drejtave të Njeriut e dhjetëra mekanizmave tjerë që përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës”, justifohej Kurti.

Është bërë e zakonshme për Kurtin që për të gjitha çështjet që i ka kundërshtuar edhe përmes protestave të dhunshme, tani është duke i pranuar dhe zbatuar njërën pas tjetrës. /Demokracia.com/

Lexo më shumë për këtë temë:

Fundi i një tjetër mashtrimi… | Kurti e Konjufca premtonin se do ta anulonin vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit, tani urdhërojnë zbatimin e tij

VIDEO | “Unë nuk angazhohem në logjikë pazaresh me askënd” | Kurti e kishte kundërshtuar kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me dhurimin e 24 hektarëve për Manastirin e Deçanit

“Vendimet e Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë…” | Si i dha jetë Albin Kurti vendimit të Kasapit të Ballkanit dhe vrasësit të shqiptarëve?

Të ngjashme