Lajme
VIDEO | E tha me zë dhe figurë, por ministria e Maqedoncit e mohon deklaratën e tij për inicimin e blerjes së raketave amerikane
Demokracia
21:28 | 16 Janar 2024

Share:

Blerja e 246 raketave “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ngjallur shumë debat. Mbrëmë vetë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pranoi se armët ishin porositur në kohën sa koalicionit të partive të dala nga lufta kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

“Qysh në vitin 2019 janë identifikuar nevojat operacionale të FSK-së. Kodi FMS është hapur gjatë Qeverisë Kurti 1, më saktësisht në prill të vitit 2020, por është iniciuar më herët me një letër që është dërguar nga ish-kryeministri Haradinaj për Departamentin e Shtetit. Edhe pas hapjes së kodit në prill të vitit 2020 janë adresuar kërkesat, jo vetëm për sistemin “Javelin”, por për të gjitha sistemet tjera dhe e gjitha ka kulmuar në këtë trevjeçar me buxhet shtesë. E gjithë rritja e blerjeve ushtarake është në këto tri vjet”, ka thënë Maqedonci, në kohën kur ushtarët e Kosovës vazhdojnë të mos kenë as këpucë të reja për vete.

Ndonëse e tha me zë dhe figurë, kjo u mohua nga ministria e Maqedoncit, shkruan Demokracia.com.

“Ministri gjatë intervistës thotë se në vitin 2020 është hapur kodi për mundësi të blerjes përmes programit FMS (Foreign Military Sale), ndërsa kërkesa për sisteme të armatimeve është bërë gjatë mandatit të qeverisjes Kurti, pas rritjes enorme të buxhetit të ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes, gjë që ka mundësuar blerjen e sistemeve më moderne të armatimeve, duke përfshirë sistemin raketor Javeline, kërkesa për të cilën është pranuar nga Departamenti i Shtetit më 24 janar 2024. Lajme të tilla të cilat shtrembërojnë deklaratat publike të krerëve institucionalë përbëjnë shqetësim. Faktet pavarësisht tendencave nuk pushojnë së ekzistuari, nga 3.6 milionë sa ishte investuar gjatë viteve 2018-2020, në periudhën ndërmjet 2021-2023 është investuar mbi 230 milionë euro me qëllim ngritjen e kapaciteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe garantimit të përmbushjes së misionit të saj kushtetues”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar edhe AAK-ja. Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka, ka publikuar një letër që Haradinaj ia kishte dërguar Mike Pompeot, ish-sekretarit amerikan të shtetit, në vitin 2019. Sipas Blakës, armatimi me “Javelin” është pjesë e planit 10-vjeçar të fuqizimit të FSK-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme