Lajme
Video e LVV-së “çka ka çka s’ka?”| Kica-Xhelili: Ka vjedhje të mostrave të Astrit Deharit
Demokracia
20:53 | 10 Janar 2023

Share:

“Çka ka çka s’ka?”, ishte pyetja e Lëvizjes Vetëvendosjes në videon e saj propaganduese duke akuzuar kundërshtarët e saj politikë për korrupsion e nepotizëm.

E kësaj i është përgjigjur deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se “ka vjedhje të mostrave të rastit të Astrit Deharit”.

“Ministrja e Drejtësisë, e NJËJTA që para një kohe për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë tha “Jap dorëheqje në momentin që gjeni përgjegjësi individuale apo të tërthortë”, sot shfajësohet”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Kica-Xhelili, pa ndërhyrje:

Çka ka çka s’ka?

Ka vjedhje të mostrave të rastit të Astrit Deharit. Ministrja e Drejtësisë, e NJËJTA që para një kohe për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë tha “Jap dorëheqje në momentin që gjeni përgjegjësi individuale apo të tërthortë”, sot shfajësohet.

Ministrja, tha, janë fshirë xhirimet nga kamerat. Pse, sa kohë të qenka dashur ta kuptosh që të janë vjedhur mostrat? Pra çka ka? Ka papërgjegjësi, dhunë morale e etike e keqpërdorim brutal të rasteve individuale që kanë prekur e vazhdojnë të prekin emocionet më të thella e brishta njerëzore për diskurse të gërditshme politike.

Çka tjetër?

Ka gjykim PUBLIK nga Kryeministri i Kosovës dhe akterë tjerë në qeveri të rastit të fundit në Shtërpcë. Gjykim publik të një pjesëtari të FSK-së pa u zbardhur rasti nga drejtësia. E çka ndodh nëse i dyshuari del të jetë viktimë e një sulmi të planifikuar e vetmbrojtje? Me gjasë e përmbyllin me një fotografi me lavde e kushtime fiktive.

A ka edhe më? Sa të duash.

Ka ndërhyrje flagrante në drejtësi nga akterë institucional. Ka këshilltarë të Ministrisë së Drejtësisë që publikisht gjykojnë palë të proceseve gjyqësore për raste që po gjykohen e nuk janë përmbyllur. Akterë që s’e kanë as idenë më të vogël çka nënkupton ndarja e pushteteve e duan ndërkohë në emër të reformave të thella t’i pavarësojnë tutje këto institucione pa e pasur të qartë as për vete konceptin e pavarësisë institucionale.

A është kjo e gjitha? Jo. Ka ende shumë. Vetëm muajin që shkoi. Por duket që në vend të punës në zbardhje të rasteve, reformave efektive e kërkimit të përgjegjësisë së mirëfilltë, do të ‘vetëkënaqen’ edhe një kohë me të kaluarën sepse dy vitet që shkuan ky vend po jeton në realitete paralele, atë të përgjithshmin, dhe atë që shpërfaq Lëvizja Vetëvendosje.

Çka ka çka s’ka? Paaftësi e kamuflim të saj.

E halli, ku? Ku nuk mban më.

Të ngjashme