Sport
Vetëm 6 vjet në Evropë, këto janë të arriturat që e bëjnë krenare FFK-në dhe futbollin tonë
Demokracia
10:55 | 03 Maj 2022

Share:

Futbolli kosovar sot po e feston 6 vjetorin e pranimit në UEFA. 3 maj  i vitit 2016 hyri në analet e historisë së sportit kosovar, kur përfundimisht Kosova theu izolimin prej dy dekadash e gjysmë, duke u bërë pjesë e familjes evropiane të futbollit.

Këtë përvjetor Kosova dhe Federata  e Futbollit e Kosovës e feston në një situatë shumë më të mirë, shkruan Demokracia.com.

Vetëm 6 vjet prej pranimit sot futbolli ynë mund të mburret me shumë të arritura. Padyshim e veçanta është fakti që Kosova u bë vendi i parë në rajon që e solli sistemin VAR në një kohë rekorde, duke e bërë kështu kampionatin shumë më të vlerësuar dhe duke i hequr dilemat e mundshme.

Sot të gjitha ndeshjet e Superligës por edhe ato të Kupës, mbikëqyren me VAR, gjë të cilën nuk e kanë shumë vende të tjera. Madje ditë më parë ka qenë edhe FSHF që ka kërkuar ndihmë nga FFK për t’i huazuar veturat (kombi) për VAR për t ‘i mbuluar të gjitha ndeshjet.

Një tjetër e arritur e madhe që ka të bëjë drejtpërdrejt me klubet është edhe pjesëmarrja me 4 skuadra në Evropë. Kampioni, vendi i dytë dhe i tretë në tabelë si dhe fituesi i Kupës marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

Një tjetër e arritur është se sot të gjitha klubet e BKT Superligës janë pajisur nga FFK-ja me pakot e katapultave GPS nga kompania “Fitogether”, në kuadër të projektit të digjitalizimit. Kjo është një pajisje e teknologjisë më të fundit, e lehtë për t’u bartur dhe shumë e përshtatshme. Kjo pajisje e mundëson që të shihet performanca e fizike, por edhe pozicionimi i lojtarit në fushë.

Një tjetër fakt që na bën për t’u mburrur është që Superliga e Kosovës në ranglistën e UEFA-s pozicionohet më lart sesa vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Kjo nuk ka sesi të mos vlerësohet ndryshe vetëm punë  e suksesshme e këtyre udhëheqësve që sot e drejtojnë futbollin tonë në krye me presidentin Agim Ademi. /Demokracia.com

Të ngjashme