Lajme
Vendimi i Komunës së Prishtinës për ‘strehimoren e qenve’ jashtë çdo norme ligjore, do të ndërtohej në zonën e mbrojtur të Badovcit
Demokracia
19:42 | 18 Mars 2024

Share:

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit të parcelës për strehimin e kafshëve. Ministria e ka arsyetuar këtë me faktin se lokacioni nuk është në harmoni me planin hapësinor, por Demokracia.com ka gjetur se komuna e drejtuar nga Përparim Rama ka bërë edhe një varg shkeljesh të tjera kur e ka caktuar lokacionin për strehimin e qenve në afërsi të zonës së liqenit të Badovcit.

Komuna e Prishtinës planifikoi strehimin e qenve endacakë duke i shkelur të gjitha ligjet në fuqi të Kosovës që e rregullojnë këtë çështje. Tashmë vendimi për caktimin e lokacionit i është anuluar nga MMPHI, me arsyetimin se ai duhet të jetë i bazuar në dokumentet e planifikimit hapësinor, sipas Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor dhe dokumentet e tjera që janë të parapara me këtë ligj.

Demokracia.com ka gjetur se është shkelur edhe Udhëzimi Administrativ nr 02/ 2023 për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese. Neni 4 i këtij UA ka të bëjë me kërkesat teknike për vendndodhjen/lokacionin e strehimores dhe flet për normat teknike të planifikimit mbi përcaktimin e lokacionit në raport me vendbanimet, i cili duhet të jetë minimumi 500 metra nga vendbanimet.

“1. Strehimorja duhet të ndërtohet në vendet ku nuk do të pengohet puna dhe aktivitetet e objekteve përreth dhe nuk do të ndotet mjedisi. 2. Strehimorja nga paragrafi 1 i këtij neni duhet të ndërtohet së paku 500 metra larg nga vendbanimi më i afërt”, thuhet në nenin 4.

Demokracia.com ka gjetur se lokacioni i propozuar i Komunës së Prishtinës nuk ka qenë më shumë se 300 metra larg vendbanimeve dhe shtëpive të lëshuara me leje ndërtimore.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka shkelur edhe një Udhëzim të Ministrisë së Administrmit të Pushtetit Lokal, në këtë rast pasi nuk ka pasur debat publik. Pra, nuk është përfshirë fare komuniteti.

Dihet se standardet minimale të konsultimit janë rregulla procedurale minimale që kanë për qëllim zhvillimin e konsultimeve publike efikase gjatë procesit të hartimit të politikave dhe akteve nënligjore nga komunat, me përfshirje të palëve të interesuara dhe qytetarëve, pa plotësimin e të cilave procesi i hartimit nuk konsiderohet i plotë, përveç nëse parashihet ndryshe me legjislacionin në fuqi.

Konsultim publik – nënkupton pjesëmarrjen e qytetarëve dhe palëve të interesuara në procesin e vendimmarrjes, me qëllim të marrjes së opinioneve, sygjerimeve, kërkesave dhe vërejtjeve të tyre, gjatë zhvillimit të procedurave të hartimit të politikave, dokumenteve strategjike dhe akteve nënligjore të kuvendit të komunës.

Palë e interesuar – nënkupton çdo person fizik dhe juridik, organizatë e shoqërisë civile, grupe të ndryshme të interesit, si dhe subjekte të tjera që ndikohen apo janë të interesuara të ndikojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në procesin e vendimmarrjes.

Lokacioni në fjalë shtrihet brenda zonës së tretë mbrojtëse të liqenit të Badovcit, i cili është i shpallur me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, Demokracia.com ka gjetur se caktimi i lokacionit është i kundërligjshëm dhe për faktin se në disa nga parcelat kadastrale hyjnë në zonën mbrojtëse të liqenit akumulues të Badovcit dhe në çfarëdo lloj situate, ndërtimi i çfarëdolloj objekti, do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit. Një gjë e tillë është e përcaktuar në Vendimin e Qeverisë nr. 16/127, vendim ky që ka fuqi mbi të gjitha aktet tjera komunale dhe çdo institucion shtetëror duhet të garantojë për zbatimin e tij.

Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit të parcelës për strehimin e kafshëve.

Kjo ministri ka konstatuar se hyrja e vendimit nuk është bazuar në Ligjin për Planifikimin Hapësinor.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, pas shqyrtimit te Vendimit Nr.01-353/ 01-62677/22 për caktimin e lokacionit të pronës së paluajtshme te Komunës së Prishtinës për strehimin e kafshëve, miratuar nga KK Prishtinë, konstatoi se: Hyrja e vendimit nuk është i bazuar në Ligjin Nr. 04/L-174 Per Planifikimin Hapësinor; Te shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve te planifikimit hapësinor 2 fuqi. Vendimi duhet të jetë i bazuar edhe në dokumentet e planifikimit hapesinor sipas Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, dhe dokumentet tjera që janë te parapara me këtë ligj. Po ashtu, nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri jetë nga ajo që është e paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor pjesën tekstuale dhe grafike në fuqi sipas Ligjit Nr.04/L-174 Per Planifikimin Hapesinor; Andaj, ju inkurajojmë që gjatë hartimit të Dokumenteve të Planifikimit Hapësinor ti përshini të gjitha projektet pra në ketë rast të përfshihet edhe lokacionit për strehimin e kafshëve Bazuar në të cekurat më lartë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë kërkon nga Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ť a harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit te kërkesës për rishqyrtim te aktit Ministria Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, mbetet në dispozicion te komunës dhe MAPL-së, për çfarëdo sqarimi të mëtejshëm lidhur me ketë vlerësim”, thuhet në vendimin e MMPHI-së.

Kjo është hera e dytë se MMPHI anulon vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit për strehimin e qenve endacakë. /Demokracia.com/

Të ngjashme