Lajme
“Vdekje e dialogut”, opozita i reagon ashpër Osmanit: Është rrugë pa krye, i shërben vetëm Serbisë
Demokracia
21:30 | 30 Gusht 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për pezullimin e vizave nëse nuk veprohet me përgjegjësi në dialog me Serbinë. Presidentja Osmani ka bërë një paralajmërim të ashpër dhe kërcënues se nëse merret një masë e tillë do të ketë “vdekje të dialogut” dhe kjo është deklarata e parë zyrtare e Kosovës në raport me ketë çështje.

Presidentja Osmani ka thënë pezullimi i vizave e vret dialogun përgjithmonë dhe se këto masa nuk janë ndaj politikanëve por ndaj popullit të Kosovës.

Osmani theksoi se pezullimi i vizave do të ishte një padrejtësi e madhe dhe se nuk do të kishte më askush mandat që të shkojë në Bruksel.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet.” – ka thënë Osmani në deklarim për medie pas homazhe në Ditën e Pagjeturve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Opozita kosovare kërkon vazhdimin e dialogut, duke kritikuar Qeverinë Kurti për degradimin e pozitës së Kosovës në procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli.

Reagimi opozitar

Në lidhje me deklaratën e presidentes Osmani ka reaguar deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Në reagimin e tij, ish-kryeministri Hoti tha se pushteti aktual e ka dobësuar Kosovën në dialog, duke pranuar autonomi dhe asociacion për serbet pa fituar asgjë në këmbim.

“Këta demagogë heqin dorë nga dialogu për njohje reciproke, që kishte nisur në qeverinë paraprake në koordinim me aleatët, e që zhvillohej në Bruksel e Uashington. Dialogun e zhvillojnë skutave, hoteleve të plazheve e në darka private. Arrijnë marrëveshje të përkohshme në villën e Titos në Ohër, ku marrin obligime për autonomi për serbët dhe zbatim të asociacionit, të cilin e kishin kundërshtuar dhunshëm, në këmbim të disa obligimeve gjysmake, abstrakte e të paverifikueshme që pala serbe duhet të përmbushë”, ka shkruar Hoti.

Tutje, deputeti Hoti tha se për t’i mbrojtur marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, pushtetarët kërcënojnë aleatët perëndimorë.

Ai shton se se Kosova aktualisht është pa “zot shtëpie”.

“E tash ankohen e “kërcënojnë” aleatët pse ata po i kushtëzojnë proceset euro-integruese të Kosovës me respektim të kësaj marrëveshje.

Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti, se zot shtëpie nuk ka momentalisht”, tha ai tutje.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka deklaruar se interes i Kosovës është përmbyllja e suksesshme e dialogut me Serbinë, me marrëveshje të përqëndruar në njohjen reciproke.

Çitaku përmes një shkrimi në Facebook, ka deklaruar se Kosova e ka interes shtetëror kultivimin e aleancave me ShBA-në dhe BE-në.

“Interes shtetëror i Kosovës është përmbyllja e sukseshme e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqëndruar në njohjen reciproke. Interes shtetëror i Kosovës është kultivimi i aleancave me SHBA dhe BE”, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, çdo rrugë tjetër është rrugë pa krye dhe shkon në favor të Serbisë.

“Status quo i shërben vetëm Serbisë dhe forcave tjera rrënuese që po synojnë ta devijojnë orientimin strategjik të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.” – ka shkruar tutje ajo.

Të ngjashme