Lajme
Vazhdon kapja dhe hipokrizia | Kurti premtonte ndalimin e privatizimit, por sapo e propozoi për Kryesues të Bordit të AKP-së ish kandidatin e tij për deputet
Demokracia
12:09 | 07 Qershor 2023

Share:

Qeveria e Kosovës e ka propozuar Mentor Hysenin, ish-kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, për ushtrimin e pozitës së kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Propozimi i qeverisë i është përcjell Kuvendit të Kosovës për miratim.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se Hyseni është ekspert me përvojë në institucione.

Ai pritet ta zëvendësojë Nazmi Mikullovcin, ish-kryetarin e Bordit të AKP-së, i cili ndërroi jetë para disa muajve.

“Para disa muajve e kemi humbur të ndjerin Nazmi Mikullovci. Andaj sot, në pozitën që e mbante z. Mikullovci, i propozohet kuvendit emërimi i anëtarit aktual të bordit, z. Mentor Hyseni”, tha Kurti.

Mentor Hyseni ishte prezantuar si prurje e re gjatë parafushatës në vitin 2019.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti e pati përshkruar atë si një profesionist.

“Për 12 vite Mentor Hyseni ka punuar në pozita të larta menaxheriale nëpër institucione të ndryshme publike në Kosovë si Ministria e Drejtësisë dhe Korporata Energjetike e Kosovës. Ndërsa në 4 vitet e fundit Mentori punon si Ekspert i Financave Publike në Kuvendin e Kosovës duke ofruar ekspertizën e tij të gjatë për t’i shërbyer një qeverisje më të mirë të parasë publike”, shkruante Kurti për Hysenin në fushtë të vitit 2019./paparaci.com/

Të ngjashme