Lajme
Vaksinat kundër Covid-19 dhe dallimet mes tyre
Demokracia
13:00 | 07 Shkurt 2021

Share:

Janë 5 vaksina të miratuara apo që pritet të miratohen për të luftuar pandeminë e Covid-19. Bota ka vënë shpresat në vaksinim për t’u kthyer në normalitet dhe për të shpëtuar ekonomitë nëpër tërë globin.

Më poshtë janë vaksinat që janë miratuar dhe që kanë filluar të distribuohen në Europë e më gjerë.

Pfizer/BioNTech

E miratuar: Në BE, në Britani të Madhe dhe në SHBA

Lloji: Vaksinë e bërë nga enizmet që dërgon në trup ARN “lajmëtar” me instruksionet si të prodhojë antigjenin.

Prodhimi: Material qelizor i zhvilluar në kultura qelizore të prodhuara nga BioNTech në Gjermani e pastaj të dërguara te Pfizer në Puurs, Belgjikë për tu zhvilluar dhe përgatitur për shpërndarje. Proces i njëjtë edhe në SHBA; doza të njëjta prodhon edhe kompania rivale franceze Sanofi.

Distribuimi: Nga Belgjika në BE dhe në Britani në depot qendrore, prej nga shpërndahet tek administratorët e vaksinës. Duhet të ruhet në temperaturë të ulët -70 gradë celsius. Vaksina duhet të shkrihet vetëm para administrimit.

Pfizer planifikon të prodhojë 2 miliardë vaksina këtë vit, 200 milionë për BE-në, 170 milionë për SHBA. Covax, iniciativë e OBSH-së për të furnizuar me vaksinë vendet më pak të pasura, do të marrë 40 milionë vaksina këtë vit. Edhe Kosova është pjesë e Covax.

Oxford/AstraZeneca

E miratuar: Në BE dhe në Britani të Madhe.

Lloji: “Vektor viral” që përdor virusin e të ftohurit së zakonshëm të cilit i janë modifikuar proteinat “depërtuese” për ta bërë të ngjasojë me virusin e Covid-19.

Prodhimi: Rritet në “bio-reaktorë” prej qelizave të infektuara me virus; pastaj bëhet filtrimi dhe pastrimi. Prodhohet në Britani, në Holandë, Belgjikë dhe Gjermani.

Distribuimi: Mund të mbahet deri në gjashtë muaj në frigoriferë standardë.

Uzinat në Belgjikë dhe në Gjermani kanë pasur probleme me prodhimin – proceset biologjike nuk janë gjithmonë të parashikueshme. Në Britani problem është bërë kapaciteti për të mbushur mjaftë shishe me vaksinë.

BE ka porositur 300 milionë vaksina, Britania 100 milionë, por kompania do të mund të dorëzojë vetëm 25 milionë deri në fund të muajit mars.

Moderna

E miratuar: në BE, Britani dhe SHBA

Lloji: Vaksinë me ARN “lajmëtar” (e njohur me akronimin anglisht mRNA), e prodhuar ngjashëm me procesin që përdoret nga Pfizer/BioNTech.

Prodhimi: Kompania amerikane ka dy fabrikat kryesore në SHBA por ka ngritur qendra të operimit edhe në Zvicër dhe Suedi.

Distribuimi: Duhet të ruhet në temperaturë prej -20 gradë Celsius, pra kërkon qendra speciale të vaksinimit.

Ka vonesa në prodhim për shkak të mungesës së shisheve dhe kapakëve të plastikës.

BE ka porositur 160 milionë, Britania 17 milionë dhe SHBA-ja ka porositur 200 milionë. Covax, ku përfshihet edhe Kosova, është ende në bisedime.

Novavax

E miratuar: Ka përfunduar fazën e tretë të testimeve, por nuk është miratuar ende për përdorim.

Lloji: Vaksinë me nën-njësi të proteinës NVX-CoV2373, e disejnuar duke shfrytëzuar pjesë të Covid-19 dhe përmban proteina “me thumba” të prodhuara në qelizat e tenjës të infektuar me version gjenetikisht të modifikuar të koronavirusit. Përmban edhe “ndihmës” që e përmirëson përgjigjen e sistemit të imunitetit.

Prodhimi: Ka nënshkruar kontrata me prodhues në Gjermani, Republikën Çeke dhe SHBA. Disa përbërës do të prodhohen në Indi. “Ndihmuesit” do të prodhohen në SHBA, Suedi dhe Danimarkë.

Distribuimi: Mund të ruhet në frigoriferë të zakonshëm. Dozat e para priten në mars apo prill. Prodhues i vogël që asnjëherë nuk ka prodhuar në shkallë të madhe.

Johnson and Johnson

E miratuar: Ka përfunduar faza e tretë, përfundimtare, e testimit të vaksinave. Nuk është miratuar ende për përdorim.

Lloji: Vaksinë me vektorë viralë, ngjashëm me vaksinën e AstraZeneca, që përdor si bazë virusin e të ftohurit të zakonshëm.

Prodhimi: Kompania ka shtatë fabrika në Europë dhe SHBA; planifikohet të prodhojnë 1 miliard doza këtë vit.

Distribuimi: Vaksina mund të mbahet në frigoriferë të zakonshëm. BE-së do t’i dorëzohen 200 milionë doza, Britanisë 30 milionë dhe SHBA-së 100 milionë. Covax do të marrë 500 milionë./Demokracia

Të ngjashme