Lajme
Ushtarët e rraskapitur rusë po ankohen për kushtet e rënda në lindje të Ukrainës: Ballafaqohemi me uri dhe të ftohtin
Demokracia
13:01 | 08 Qershor 2022

Share:

Sulmi i Rusisë në lindje të Ukrainës ka sjellë një lloj avancimi në fushëbetejë, pasi ushtria avancoi ngadalë në luftimet e ashpra në Donbas.

Megjithatë, siç raporton The Guardian, kjo “fitore” pati çmim të lartë për forcat pushtuese ruse, e dëshmi për këtë është numri i viktimave në nivel të lartë.

Disa njësi po i afrohen rraskapitjes në rritje, derisa lufta ka hyrë në ditën e 105-të.

E derisa kjo luftë po vazhdon, disa luftëtarë rusë i kanë bërë apele publike Vladimir Putinit, për hetimin e kushteve në fushëbetejë dhe se grumbullimin e tyre në vijën e frontit që e konsiderojnë si të jashtëligjshëm.

Në dy video të ndryshme, luftëtarët në lindje të Ukrainës që është nën kontrollin e rusëve, po ankohen për kushte të këqija dhe qëndrim  të gjatë në vijën e frontit, që po u sjell rraskapitje.

“Personeli jonë po ballafaqohet me uri dhe të ftohtin”, thanë luftëtarët nga njësia e 113-të nga Donetsku në një video të shpërndarë në internet.

“Në periudha të caktuara kemi qenë pa kurrfarë materiali, qoftë ai medicinal apo ushqim”, tha një ushtar rus.

“Duke marrë parasysh prezencën tonë të vazhdueshme dhe faktin që në mesin e ushtarëve tonë ka prej atyre që kanë probleme me sëmundje kronike e mendore, shtrohen shumë pyetje që po anashkalohen nga eprorët tanë në shtab”, tha një ushtar tjetër rus.

Në një intervistë, një ushtar rus që luftoi në afërsi të Kievit, Kharkivit, e tani në lindje të Ukrainës është ankuar për rraskapitje, duke theksuar se madje ka kontaktuar avokatin e tij duke iu ankuar se nuk e ka parë gruan prej muajsh.

“Po luftoj në Ukrainë nga fillimi i luftës, kanë kaluar më shumë se tre muaj”, tha për The Guardian, Andrei që shërben në brigadën e 37-të të motorizuar me seli në Burjatij të Siberisë.

“Është rraskapitëse, e tërë njësia ime po kërkon të pushojë, por eprorët tanë na e kanë bërë të ditur se nuk mund të na gjejnë zëvendësim”, shtoi ai.

Ankesat e tij janë në një vijë me raportimet për vështirësitë ruse sa i përket rotacionit të ushtarëve të lodhur. Përpjekjet për rekrutim janë vështirësuar, pasi që Rusia nuk i ka shpallur haptazi luftë Ukrainës. Kremlini po vazhdon të këmbëngulë në atë që agresionin ta quaj “operacion special ushtarak”. /Telegrafi/

Të ngjashme