Lajme
UP pësoi rënie në ranglistën botërore, njohësi i arsimit: Cilësia e arsimit në Kosovë filloi të bie drastikisht më 2014
Demokracia
19:12 | 10 Gusht 2022

Share:

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur në vendin 3,031 në përditësimin e fundit të ranglistës prestigjioze “Webometrics”.

Ranglista që mat të gjitha universitetet botërore duke u bazuar në cilësi dhe në impaktin e tyre në internet, rangoi UP-në katër pozita më poshtë se në ranglistën paraprake të publikuar në janar të këtij viti.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin tha se gjendja e tanishme në UP është pasojë e drejtpërdrejtë e “vendimeve të politizuara” të Gjykatës Kushtetuese, me të cilat sipas tij, janë krijuar qeveri pazaresh.

“Gjendja e tanishme në Universitetin e Prishtinës, por edhe në arsimin parauniversitar është pasojë e veprimit të faktorëve të shumtë parazitarë dhe entropik”, deklaroi Hyseni, duke shtuar se cilësia e arsimit në Kosovë filloi të bie drastikisht në vitin 2014.

“Atëherë kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës përcaktoi ‘bazën’ kushtetuese për formimin e Qeverisë së Kosovës. Në vitin 2018, sistemi i edukimit dhe i arsimit në Kosovë do të merrte një goditje tragjike, përsëri me vendimin e Kushtetueses, por jo mbi bazën e vitit 2014, por me një vendim krejtësisht të kundërt me atë të vitit 2014.  Ky ka qenë një vit kur arsimi i Kosovës pësoi edhe një goditje të rendë”.

Sipas tij, ky rangim në “Webometrics” nuk mund t’i faturohet qeverisjes aktuale, pasi siç tha, ndryshimet në arsim nuk mund të ndodhin brenda një nate, por as për dy apo tri vjet.

“Për shkak se janë komplekse dhe në këto ndryshime duhet të marrë pjesë e tërë shoqëria e udhëhequr nga një Qeveri meritokrate dhe mbi gjitha morale e kombëtare”, deklaroi tutje Hyseni.

Ai shtoi se Qeveria Kurti duhet të veprojë në mënyrë të koordinuar duke hartuar strategjinë dalëse  nga kjo gjendje siç e quajti, tepër të rëndë të sistemit të edukimit dhe arsimit.

Njohësi i arsimit komentoi edhe vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), që të ofrojë mbështetje financiare 7 mijë euro për 20 studentë që janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në top universitetet më prestigjioze në botë.

Hyseni i dha përkrahje ministrisë për këtë vendim, por shtoi se duhet garantuar që ata studentë do të kthehen më pas në Kosovë për ta ushtuar profesionin e “nuk do te përndiqen siç janë përndjekur deri me tani”.

Ndryshe, me pozitën që është radhitur është shprehur i pakënaqur menaxhmenti i UP-së.

Përmes një komunikate për media, kanë njoftuar se kanë filluar të punojnë në identifikimin e mangësive.

Ndërsa, janë krenuar se janë ranguar më mirë se të gjitha institucionet e arsimit të lartë në trevat shqipfolëse.

“Në rangimin Webometrics, Universiteti i Prishtinës rangohet si universiteti më i mirë nga të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë dhe trevat shqipfolëse. Pra, UP-ja nuk është universiteti i dyti më i dobëti në rajon, siç është prezantuar nga disa mediume. UP-ja në rangim lë prapa një numër të konsiderueshëm të universiteteve publike në rajon, ndërsa institucioni i dytë i arsimit të lartë në Kosovë, është dyfish më poshtë në rangim krahasuar me UP-në”.

“Sigurisht, UP-ja nuk është e kënaqur edhe me këtë rezultat, andaj menaxhmenti së bashku me Këshillin drejtues, muaj më parë kanë filluar të punojnë në këtë drejtim, duke identifikuar mangësitë dhe duke ndërmarrë nisma strategjike për ta avancuar tutje pozicionin në platformën Webometrics”, u tha në reagimin e UP-së.

Të ngjashme