Lajme
Ukraina thotë se piloti rus, që kishte dezertuar vitin e kaluar, është gjetur i vdekur në Spanjë
Demokracia
09:25 | 20 Shkurt 2024

Share:

Një pilot rus i helikopterëve, i cili kishte dezertuar në Ukrainë vitin e kaluar përmes një operacioni sekret, është i gjetur i vdekur në Spanjë, sipas agjencisë kryesore ukrainase për inteligjencë ushtarake.

Në raportimet e mediave ruse e spanjolle të hënën thuhet se Maksim Kuzminovi u gjet i vdekur, pasi dyshohet se ishte vendosur në qytezën Villajoyosa në Alicante, në bregdetin e Mesdheut, në një zonë të popullarizuar për turistë. Trupi i tij u zbulua të martën e kaluar, thuhet në raportime, në një parking veturash nën një bllok banesor, raporton gazeta “The Guardian”.

Në raportime pretendohet se dezertuesi ishte vrarë nga persona të armatosur të panjohur, të cilët kishin shtënë 12 herë. Një veturë e djegur tërësisht u gjet në qytezën El Campello. Policia spanjolle fillimisht kishte menduar se rasti ishte i ndërlidhur me banda para se të merrnin vesh për historinë e jashtëzakonshme dhe rolin e viktimës në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kuzminovi e kishte kaluar vijën e frontit në gusht gjatë një fluturimi mes dy bazave ajrore ruse. Ai duhej të transportonte pjesë për aeroplanët luftarakë SU-27 dhe SU-30. Sidoqoftë, në vend të kësaj, ai e kishte lëshuar helikopterin e tipit Mi-8 AMTSh në territor ukrainas.

Gazeta “Ukrainskaya Pravda”, duke cituar një burim të inteligjencës ukrainase, tha se ish e dashura e pilotit e kishte gjetur trupin e tij.

Të ngjashme