Lajme
U lind dhe u rrit në Bujanoc, qytetarja fshihet nga lista e votimit vetëm pse është shqiptare
Demokracia
17:55 | 03 Prill 2022

Share:

Një qytetarë me origjinë shqiptare nuk ka arritur që të votojë sot në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat po mbahen në Serbi.

Pavarësisht se shqiptarët atje posedojnë këtë të drejtë, Teuta Fazliu nuk arriti të votojë pasi që është fshirë nga lista e votimit, shkruan Demokracia.com.

“Shteti i Serbisë më fshin nga lista e votuesve vetëm pse jam shqiptare e Bujanocit. Kush do të n’mbrojë ?! BE, Kosova apo Shqipëria”, ka shkruar ajo, duke etiketuar në postimin e saj edhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kryeministrin e Kosovës, Albin Kutin dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Nuk munda të votoj sot, sepse shteti im më fshiu nga lista e votimit sepse jam shqiptare. Bujanoci është qyteti im, unë kam lindur dhe jam rritur aty”, thuhet në një postim tjetër të Fazliut.

Fazliu mori një përgjigje nga Von Cramon.

“Gesa Storz ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të EOM-së (Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve), por veçanërisht në deklaratën e Parlamentit Evropian!”, ka shkruar Von Cramon.

Megjithatë, Teuta Fazliu nuk mori ndonjë përgjigje nga kryeministrat Kurti dhe Rama.

Kujtojmë se qytetarët në Serbi këtë të diele po votojnë për zgjedhjet presidenciale, me presidentin populist Aleksandar Vuçiq – i cili mburret për lidhjet e tij personale me presidentin rus, Vladimir Putin teksa Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – që pritet të fitojë një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të shtetit.

Votuesit po ashtu po votojnë për zgjedhjet parlamentare, në të cilat, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ashtu pritet të dominojë. Njëkohësisht po mbahen zgjedhjet lokale për disa komuna, përfshirë edhe për kryeqytetin serb, Beogradin.

Në zgjedhjet parlamentare serbe po marrin pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garojnë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë./Demokracia.com/

Të ngjashme