Intervista
Tregu i transferimeve i “varfër” në janar, vlerësojnë njohësit e futbollit të Kosovës
Demokracia
14:17 | 02 Shkurt 2023

Share:

31 ditë kanë pasur në dispozicion klubet e Superligës së Kosovës në futboll të përforcojnë skuadrat e tyre në afatin kalimtar të janarit.

Dikush më shumë, e dikush më pak, klubet e elitës së futbollit kosovar kanë sjell emra të rinj për brenda ekipeve, në mënyrë që të përforcohen dhe t’i arrijnë objektivat në stinorin pranveror.

Megjithatë, njohësit e futbollit të Kosovës po e vlerësojnë të “varfër” tregun e transferimeve në merkaton dimërore.

Erdin Hashani, ish-futbollisti me shumë përvojë, tani trajner, ka thënë se skuadrat në janar nuk i lënë të lirë futbollistët më të mirë të ndërrojnë ambient.

Zakonisht merkato në janar gjithmonë është më e varfër. Për shkak se asnjë skuadër nuk e lëshon lojtarin e mirë në këtë afat kalimtar përveç atyre që kanë probleme me lojtarin ose që nuk i kanë mbushur pritshmërit. Nuk është se ka shumë lëvizje apo dhe mundemi me thënë që tashmë klubet janë vetëdijësuar sepse nuk është shumë që po bëjnë lëvizje sepse normalisht adaptimi i lojtarit në një kohë shumë të shkurt në një klub tjetër është e vështirë, sepse normal që i duhet më shumë kohë çdo futbollisti në një ambient të ri“, thotë Hashani për Demokracia.com.

Për Hashanin, është e vështirë të dallohet një klub për merkato më të mirë në këtë afat kalimtar.

Është e vështirë me thënë se cila skuadër e ka bërë merkaton më të mirë sepse janë munduar sado pak në ato vende apo pozita që kanë nevojë klubit ose që i kanë pikat më të dobëta që të sjellin futbollistë, por tash si do të pershtaten mbeten me u pa. Këto skuadrat që janë lart në tabel normal që pritet me kanë prurjet e tyre ma cilësore sepse edhe kanë buxhetin më të mirë dhe kur ke buxhet më të mirë e ke luksin që të sjellësh lojtarë më cilësor. Ndoshta kisha më thënë Ballkani e Drita. Por nuk do të thotë që nuk del ndonjë futbollist surprizë gjë që na ka mësuar e kaluara që të kemi surpriza me futbollistë të mirë“, thekson ai.

Hashani veçon skuadrat që synim kanë mbijetesën e të cilat sipas tij kanë pasur më shumë nevojë për “armë” shtesë.

Mendoj që këto skuadrat që duan t’i ikin rënies nga Superliga janë kryesisht këto që kanë nevojë të marrin më shumë futbollista sepse duan që konkurrenca të rritet në ekip dhe po ashtu të arrihen qellimet e tyre. Se këto skuadrat qe janë për titull thuja se pak bëjnë ndryshime në ekip, sepse unë mendoj që ato vetëm se e kanë skeletin e ekipes dhe nuk është që ju duhen shumë ndërhyrje sikur këto që luftojnë për mbijetesë“, shton Hashani për fund.

Edhe analisti i mirënjohur Arsim Prepolli thotë për Demokracia.com se është e vështirë që klubet të marrin lojtarë të mirë në janar.

Ka klube që kanë bërë merkato edhe pse është vështirë në gjysmësezon të marrësh lojtarë të mirë dhe të lirë. Kemi disa klube që kanë bërë përforcime aty ku kanë pas nevoj, por presim të shohim se sa janë të qëlluara, sepse e dimë që gjitha përforcimet nuk mund të dalin të mira“, pohon Prepolli.

Prepolli përmend Ballkanin i cili, sipas tij, ka bërë pak prurje, por që është optimist se janë kualitative.

Besoj se Ballkani ka bërë pak përforcime, por besoj se janë cilësore“, tha Prepolli.

Stinori pranveror në futbollin e Kosovës nis këtë fundjavë me ndeshjet e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës, ndërkaq një javë më vonë starton edhe Superliga e Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme