Lajme
Tre të vrarë për një javë | Kërcënohet siguria në Kosovë, mbi 250 mijë armë ilegale janë në duart e qytetarëve
Demokracia
23:06 | 10 Gusht 2023

Share:

Kosova u trondit nga vrasjet e njëpasnjëshme në javën e fundit. Nga e shtuna që shkoi, në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje.

Kastriot Ramadani, 39 vjeçar, mbeti i vrarë pas një shërri në njërën nga kafiteritë e Prishtinës. Pos tij u plagosën edhe rreth 20 të tjerë, shkruan Demokracia.com.

Vetëm pak ditë më pas, një ngjarje tjetër në qytetin e Klinës tronditi Kosovën. I dyshuari Tush Frroku, e privoi nga jeta mikun e tij (vëllain e gruas), Anton Prelën. Ngjarja ndodhi brenda një lokali në qendër të këtij qyteti, deri sa qytetarët u shprehen të tronditur.

I dyshuari gjendet ende në arrati dhe është në kërkim policor.

Nuk shkuan shumë ditë dhe në mbrëmjen e së mërkurës ndodhi edhe një vrasje në fshatin Runik të Skenderajt. Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se vrasja ka ndodhur në fshatin Runik të Skenderajt dhe përveç viktimës, në vend të ngjarjes janë plagosur edhe tre persona tjerë.

“Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë Policia.

Kjo tregon se në duart e qytetarëve të Kosovës gjenden shumë armë pa leje, të cilat janë kërcënim për sigurinë, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse në tri vjetët e fundit ka rritje të numrit të armëve të regjistruara me leje, megjithatë në duart e qytetarëve vazhdon të ketë shumë më shumë armë pa leje.

Shkaktar për numrin e madh të armëve pa leje, sipas njohësve të fushës së sigurisë, janë edhe dënimet e ulëta.

Në vitin 2023 janë rreth 41,085 armë me leje. Në vitin 2022 janë rreth 37,450, ndërsa në vitin 2021 janë rreth 30,086.

Sa i përket numrit të armëve pa leje, sipas një hulumtimi të viteve të mëhershme, kanë rezultuar rreth 250,000.

Posedimi i armëve në masë të madhe, vlerësohet rrezik i madh nga njohësit e sigurisë.

Vrasjet dhe plagosjet e fundit kanë vënë në punë Policinë e Kosovës. Pas tri vrasjeve të njëpasnjëshme brenda një jave, Policia e Kosovës po vazhdon ta zbatojë planin operativ “Goditja”, me qëllim të identifikimit të rrezikut potencial nga armëmbajtja pa leje.

Ky operacion ka dy ditë që ka filluar dhe Policia ka dalur me një përditësim të të dhënave lidhur me aktivitetet dhe rezultatet e patrullimeve në kuadër të operacionit.

Gjatë 8 dhe 9 gushtit janë kontrolluar mbi 4,800 vetura, 102 lokale, ku janë konfiskuar gati 20 armë e janë arrestuar 14 persona.

Njoftimi i plotë:

Vazhdon zbatimi i Urdhrit Operativ ‘GODITJA’

Gjatë dy ditëve (netëve) të zbatimit të Urdhrit Operativ ‘GODITJA’, i cili si qëllim kishte shtimin e aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato, janë evidentuar këto aktivitet dhe arritur këto të dhëna:

Me 8 e 9 gusht 2023, gjatë realizimit të detyrave që rrjedhin nga urdhri në fjalë, në tërë vendin janë regjistruar këto të dhëna:

• Janë angazhuar 823 patrulla policore (të njësive të ndryshme policore),
• Janë vendosur e realizuar 871 Pika për Kontrollin e Automjeteve (PKA),
• Janë realizuar 331 pika kontrolli me radar ose alkootest,
• Janë kontrolluar 4848 vetura,
• Janë kontrolluar 102 lokale të ndryshme,
• Janë konfiskuar 19 armë të ndryshme,
• Janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat dhe aktivitete tjera që lidhen me ofrimin e sigurisë etj.

Policia do të vazhdojë aktivitetet në realizim të detyrave që dalin nga urdhri që është në zbatim e sipër.

Të ngjashme