Lajme
Pas pranimit të Zajednicës, Kurti dorëzohet dhe e pranon edhe vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit: “I kërkuam Agjencionit Kadastral ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”
Demokracia
11:56 | 13 Mars 2024

Share:

Pasi i tha “PO” Zajednicës, kryeministri Albin Kurti e ka pranuar edhe vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit.

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka thënë se i kanë thënë Agjencionit Kadastral që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai e quajti vendim të çuditshëm dhe se tentoi të arsyetohet duke thënë se ka tentuar që të mos e zbatoj vendimin.

Kurti dikur këtë vendim e quante vendim të Millosheviqit.

“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”, ishte shprehur Kurti në vitin 2022.

Kjo cështje është riaktualizuar nga shtetet e QUINT’it gjatë qeverisjes së Kurtit sidomos pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Javën që shkoi Qeveria sinjalizoi se është pajtuar që këto prona t’i kalojnë Manastirit të Decanit pasi ky është një kusht që Kosova të bëjë hapin e radhës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sido që të jetë, dhënia e pronës nuk pritet ta përfundojë cështjen e anëtarësimit në këtë organizatë pasi edhe vetë qeveritarët presin që anëtarësimi përfundimtar të kushtëzohet edhe me cështje tjera.

Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuzuar në vazhdimësi ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për t’i lejuar Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, me arsyetimin se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

Në shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë “vendimin për mosekzekutimin e aktgjykimit”, në të cilin konstatohet se vendimi i saj i vitit 2016 nuk është zbatuar.

Prokuroria Themelore e Pejës në Kosovë, në qershor të vitit 2022, ka nisur hetime kundër Komunës së Deçanit, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese./Demokracia.com/

Të ngjashme