Në shërbimin e gjeologjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë ka ndodhur një sulm dhe kërcënim.
Drejtori i Gjeologjisë Regjionale, Alban Çollaku, është sulmuar dhe është penguar gjatë detyrës zyrtare nga Luan Morina, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv i Shërbimit të Gjeologjisë.
Çollaku për Demokracia.com ka thënë se e gjithë kjo ka ndodhur pas një presioni dhe mospërfilljes së kryerjes së punëve të paligjshme.
Ai thotë se është kërcënuar dhe ka pasur tentim për sulm fizik nga ana e Luan Morinës dhe e gjithë kjo, për shkak se Morina i kishte thënë Çollakut që të nënshkruante për pajisjen me goma të veturave, gjë për të cilën Çollaku nuk është përgjegjës.
“Pas refuzimit për shkak se nuk është në përgjegjësinë time. Është në përgjegjësinë e logjistikës dhe unë nuk mundem me bë shpenzim të parasë publike për diçka që është në kundërshtim me ligjin. I njëjti m’thotë kush po t’vet ty për ligjin, ti ki me bo çka të thom unë. Edhe kerrin ki me pajis me goma edhe ki me i kry krejt procedurat. Edhe unë i them, nuk bëj asnjë veprim të kundërligjshëm dhe nuk e shpenzoj paranë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse është tejkalim i autorizimeve. Është departamenti i veçantë dhe divizioni i logjistikës, i cili ka këtë përgjegjësi dhe me e-mail zyrtar e kam adresuar tek ata. Ky (Luan Morina), gjuan me laps në tavolinë dhe thotë unë t’përplasi përtokë dhe në atë moment reagimet qysh janë, çka po di unë qysh, tash s’mundem saktë me e kujtu si ka ndodhur, por me ç’rast ky është ashiqare presion edhe është sulm në detyrë zyrtare, por jo boksa. Ka qenë kërcënim dhe sulm në detyrë zyrtare, por jo boksa”, ka thënë Çollaku për Demokracia.com.
Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar këtë rast për Demokracia.com, duke thënë se tashmë kanë nisur hetimet për këtë sulm dhe kanosje që i është bërë Çollakut nga kolegu i tij i punës. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: