Lajme
“Terroristët u arratisën duke ecur” – A kishte marrëveshje? | Pyetja që vazhdon ta ndjekë Kurtin
Demokracia
09:32 | 05 Tetor 2023

Share:

Dhjetëra pjesëtarë të grupit terrorist serb, që udhëhiqej nga terroristi Milan Radojçiq, janë filmuar të dielën e 24 shtatorit 2023, duke ecur dalëngadalë dhe duke hyrë në malin afër fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit për të vazhduar rrugën e arratisjes deri në Serbi.

Pamjet janë filmuar nga instituiconet kosovare të sigurisë dhe të njëjtat janë publikuar më vonë, shkruan Demokracia.com.

Ikja e pashqetësuar e grupit terrorist të armatosur rëndë me arsenal ushtarak, prej disa ditësh ka ngritur pyetjen e njëjtë, e cila vazhdon t’iu bëhet drejtuesve shtetërorë edhe gati dy javë pas kësaj ngjarje të rëndë me të cilën u përballë Republika e Kosovës.

Kjo pyetje vazhdon të parashtrohet edhe për faktin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por edhe ministri Xhelal Sveçla, të dielën e sulmit terrorist kanë informuar qytetarët se grupi i terroristëve ishte nën rrethim nga Policia e Kosovës.

Megjithatë, deri më tani vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjigjur në këtë çështje.

“Në disa nga videot që keni shpërndarë, kemi parë që sulmuesit po “ecnin” teksa arratiseshin. A ka pasur ndonjë marrëveshje që ata të largoheshin? Si ia kanë dalë të arratisen?”, ka qenë pyetja që Radio Evropa e Lirë ia ka bërë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Nga ai ka marrë një përgjigje që mohon se ka pasur ndonjë marrëveshje për largimin e terroristëve nga Kosova.

“Jo, asnjë marrëveshje, asnjë komunikim me qëllim të krijimit të lirimit a krijimit të korridorit për ikje apo depërtim të këtij grupi nga fshati i Banjskë, nga territori i Kosovës, nuk ka pasur. As tentativë të tillë nuk ka pasur”, është përgjigjja mohuese e drejtorit Hoxha më 4 tetor.

Një pyetje pak a shumë e ngjashme i është bërë edhe ministrit Xhelal Sveçla, i cili është munduar të japë arsyetime sesi terroristët arritën të largoheshin nga Kosova.

“Nuk ka pasur kurrfarë negocimi. Tërheqja është bërë pasi këtë ua ka mundësuar malet e larta me vegjetacion dhe përgatitja e tyre ushtarake të cilët kanë ditë se si me u tërheq”, ka thënë Sveçla më 1 tetor 2023.

Të dielën e 24 shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por edhe vetë ministri Sveçla, në konferencat e tyre kanë treguar se terroristët ishin nën rrethim dhe u bënin thirrje që të dorëzoheshin.

“Sulmet janë duke vazhduar, janë së paku 30 të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhën nën rrethimin e forcave tona dhe i bëjë thirrje të dorëzohen tek organet e sigurisë”, deklaronte Kurti.

Lexo më sumë:

Kurti: I bëj thirrje të dorëzohen grupit të armatosur që po e sulmojnë Policinë e Kosovës

“Një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska edhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren. Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”, deklaronte Sveçla.

Lexo më shumë:

Sveçla: Mbi 30 persona nga Manastiri i Basnjës po e vazhdojnë sulmin ndaj Policisë, u bëjmë thirrje të dorëzohen

Të dielën e 24 shtatorit 2023, një grup terroristësh serbë, vranë policin Afrim Bunjaku dhe plagosën një tjetër. Më pas grupi terrorist serb u fut në manastir nga ku pati shkëmbime zjarri gjatë gjithë ditës me policinë e Kosovës. Gjatë sulmit me armë mbetën të vrarë dhe 3 terroristë serbë. Vetëm pak prej tyre u arrestuan dhe më pas edhe u liruan disa, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u largua për në Serbi. Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës gjeti në këtë fshat arsenal të madh të armëve luftarake. /Demokracia.com/

Publikohen pamjet | Kryekrimineli i veriut, Milan Radojiçiq, ishte pjesë e grupit terrorist

Të ngjashme