Lajme
Tensionet në veri që kthyen vëmendjen e ndërkombëtarëve kah Kosova e Serbia
Demokracia
07:30 | 24 Gusht 2022

Share:

Po bëhen gati një muaj prej tensioneve në veri të Kosovës të krijuara nga serbët për shkak të vendimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për të vendosur reciprocitet për targa dhe dokumentet serbe.

Vendimet e qeverisë bënë që, serbët të vendosin barrikada në shumë rrugë në pjesën veriore të Mitrovicës duke bllokuar edhe pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, shkruan lajmi.net.

Përveç bllokimit të rrugëve dhe pikave kufitare në veri, në situatën e tensionuar të datës së 31 korrikut, u raportua vetë nga Policia e Kosovës se në atë pjesë janë dëgjuar të shtëna prej të cilave disa kanë qenë në drejtim të policisë, por edhe se ka pasur raste ku qytetarët janë sulmuar nga serbët.

“INFORMACION ZYRTAR (nr.3) Prishtinë, 31 korrik 2022. Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur. Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, ishte deklaruar nga PK-ja.

Në këtë situatë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, duke përcjell kërkesën e SHBA-ve kërkoi nga kryeministri Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, që vendimi shtyhet për një muaj, pra deri me datën 1 shtator. Kërkesë e cila u miratua nga qeveria.

Menjëherë pas tensioneve, politika perëndimore i intensifikoi edhe më shumë deklaratat dhe thirrjet që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve.

Në këtë vijë, si shkak i tensioneve, Bashkimi Evropian njoftoi se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë këtë muaj dhe se takimi mes Kurtit dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq do të zhvillohet me 18 gusht në Bruksel.

Megjithatë, politika perëndimore u shfaq aktive duke intensifikuar edhe më shumë kontaktet me politikën kosovare por edhe atë serbe, edhe para takimit të 18 gushtit.

Mes periudhës së tensioneve dhe takimit në Bruksel, ambasadorë të vendeve të ndryshme të perëndimit, si ai i SHBA-së dhe i Britanisë së Madhe, zhvilluan disa takime me Kurtin dhe Osmanin.

Ajo çfarë vazhdimisht deklarohej nga ambasadorët ishte arritja e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve. Kjo thirrje, e njëjtë si ajo e ambasadorëve, u përsërit gjatë por edhe para takimit mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb, edhe nga përfaqësues më të lartë të politikave perëndimore, siç është Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Garbiel Escobar, Përfaqësuesi i Lartë i Politikave të Jashtme të BE, Josep Borrell, por edhe nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laçak.

Escobar, një ditë para takimit të Brukselit, ka deklaruar se marrëveshja mes dy vendeve duhet ta ruajë pavarësinë e Kosovës.

“Ne duam të kemi bisedime produktive nesër dhe po shpresojmë se të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje e cila ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe gjithashtu parandalon dhunën. Kështu që po shpresojmë për bisedime të mira. Faleminderit shumë!”, ka thënë Escobar.

Ndërsa Borrell, në ditën e takimit kishte deklaruar se është koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë përpara.

“Sot në mëngjes kam thirrur takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka deklaruar Borrell.

Ndërsa Lajçak për takimin ishte deklaruar se pret qasje të përgjegjshme nga të dyja palët.

Megjithatë, takimi mes Kurtit dhe Vuçiq që u zhvillua në dy raunde dhe për disa ore, nuk dha rezultat. Asnjë marrëveshje, pa marrë parasysh pritshmërisë, nuk u arrit.

Për dështimin e takimit, Borrell ishte deklaruar se edhe pse rezultati nuk ishte ai që prisnin, ky tregim, pra çështja e bisedimeve nuk ka përfunduar dhe se diskutimet do të vazhdojnë.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur marrëveshje në takimin e sotshëm, por nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë që diskutimet të rifillojnë në ditët në vijim, ka kohë deri me 1 shtator, nuk ka marrëveshje ditën e sotme, do të vazhdojmë kërkimin për zgjidhje, ky diskutim do të vazhdojë”, kishte deklaruar Borrell.

Kësaj deklarate të Borrell, nuk iu desh shumë kohë që të dalë e vërtetë. Pasi që, pikërisht pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiq, vazhduan takimet e përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe BE-së me Vuçiq.

Nga këto takime dhe deklarata në drejtim të Kosovë dhe Serbisë, mund të vërehet qartë, që çështja e targave dhe dokumenteve, ka qenë më sa paku në qendër të vëmendjes. Ndërsa, ajo që ishte në esencë të deklaratave ishte marrëveshja përfundimtare.

Vuçiq ishte deklaruar i shqetësuar pas takimit të 18 gushtit, madje ai kishte thënë se kjo ditë, është e rëndë për tërë Serbinë. Ndërsa nga ana e qeverisë së Kosovës, nuk kanë dhënë ende detaje, duke paralajmëruar se kjo do të bëhet këtë javë.

Pavarësisht deklaratave, së pari të ambasadorëve të huaj në Kosovë e Serbi, pastaj të përfaqësuesve të lartë të SHBA-së dhe BE-së, dhe mos deklarimit të qartë të te dy qeverive, interesimi i perëndimit për arritjen e marrëveshjes përfundimtare nuk u shua me 18 gusht.

Për ta bërë edhe më të qartë seriozitetin, intensifikim dhe interesimin e perëndimit që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, të arrihet sa më shpejt, është njoftimi i sotëm që erdhi nga SHBA-të, më saktësisht nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili ka deklaruar se Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken, është i gatshëm dhe se nuk heziton të bëhet pjesë e bisedimeve mes dy vendeve të Ballkanit. /Lajmi.net/

Të ngjashme