Lajme
DOKUMENT | Tenderi 13-milionësh për njerëzit e afërt me LDK-në, Komuna e Prishtinës s’ka nisur punimet as një vit pas nënshkrimit të kontratës
Demokracia
14:56 | 12 Shkurt 2024

Share:

Në korrik të vitit 2020, Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte shpallur tender në vlerë 10 milionë euro për ndërtimin e tri shkollave. Por, për shkak të shumë zvarritjeve procedurale të tenderit, kontrata ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2022 me një grup kompanish të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila qeverisë në Prishtinë. Prit sot, prit nesër, punët nuk kanë nisur të ekzekutohen asnjëherë dhe ekziston mundësia që procesi i tenderimit të kthehet përsëri në pikën zero, shkruan Demokracia.com.

Në këtë tender, përpos ndërtimit të shkollave me Partneritet Publiko Privat – PPP, është i përfshirë edhe sigurimi i mirëmbajtjes dhe shërbimeve në komunë.

Bëhet fjalë për shkollat në lagjen Mat, Sofali e Veternik (afër Lagjes Qendresa). Gjithçka ishte planifikuar të bëhet në bashkëpunim me IFC (Banka Botërore) dhe për herë të parë në Kosovë me metodën PFI (Private Finance Initiative). Shkollat janë dizajnuar nga një kompani italiano-kolumbiane, e përzgjedhur nga Banka Botërore dhe ato syohen të jenë ndër shkollat më moderne në Kosovë.

Demokracia.com ka pritur disa javë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës për të mësuar arsyen përse nuk kanë filluar punimet në këto shkolla, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Kontrata ishte nënshkruar me konzorciumin e kompanive “ABC” & “Beni dona” & “Beni Dona Plast” & “Olti Trasing”, me ofertë 13. 5 milionë euro, ndërkohë Komuna e Prishtinës kishte vendosur një çmim në ofertë prej 10 milionë euro, por më pas kishte shtuar edhe 3.5 milionë të tjera.

Këto kompani më pas janë shkrirë në një të vetme dhe e njëjta është regjistruar në ARBK. Dihet se pronari i kompanisë “Beni Dona” është biznesmeni Ragip Mustafa, një person tradicionalisht i afërt me LDK-në.

Demokracia.com ka mësuar se pas nënshkrimit të kontratës, njëri nga anëtarët e konzorciumit është tërhequr nga marrëveshja për ndërtimin e shkollave me arsyetimin se kur kanë ofertuar çmimet e ndërtimet kanë qenë më të lira, ndërkohë pas nënshkrimit të kontratës, ato janë shtrenjtuar dukshëm.

Ligji i Prokurimit Publik nuk është shumë i qartë në këtë rast.

Demokracia.com është në pritje për të marrë një interpretim nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur me këtë çështje.

Ky autoritet jep interpretime ligjore të shumë problematikave që kanë të bëjnë më interpretimin e Ligjit të Prokurimit Publik apo me legjislacionin sekondar. Palë të ndryshme i drejtohen për të kërkuar përgjigje dhe KRPP e ka të publikuar në ueb-faqe kolonën ‘Pyetje dhe Përgjigje’. Një përgjigje të përafërt sikurse në rastin e Komunës së Prishtinës e ka dhënë edhe për një palë, duke u thirrur në ligjin sekondar të prokurimit publik, por situata nuk është krejt e ngjashme sikurse më Komunën e Prishtinës.

“ OE-të nuk lejohen të prezantojnë një tender si individual dhe si anëtarë të një grupi në të njëjtën kohë në një aktivitet të prokurimit. Grupi i OE nuk do të modifikohet pas dorëzimit të tenderit (fazës së vlerësimit), nëse ndodhë kjo atëherë tenderi do të refuzohet. Nëse gjatë fazës së ekzekutimit tërhiqet njeri anëtar i grupit, përbërja e grupit nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e AK. Në këtë rast, AK duhet të shqyrtojë nëse kriteret e përzgjedhjes vazhdojnë të përmbushen”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së tek rubrika ‘Pyetje dhe përgjigje’.

Lënda në polici

Në këtë tender kishte ofertuar edhe “Pe -Vla-Ku” SHPK, me ofertë 16.8 milionë euro,

Demokracia.com ka mësuar se kompania nga Shqipëria me degë në Kosovë “Pe-Vla-Ku SHPK” kishte dorëzuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës lidhur me këtë tender, duke konsideruar që njëri prej anëtarëve të konzorciumit ka paraqitur dokumente të falsifikuara gjatë ofertimit. Pretendimet e kompanisë që janë paraqitur në polici, të njëjtat janë paraqitur edhe në një ankesë në OSHP, që është bërë para disa ditëve.

Në dhjetor të vitit 2022, kryetari Përparim Rama kishte njoftuar për nënshkrimin e një kontrate për ndërtimin e tri shkollave të reja në kryeqytet.

3 shkolla të reja do t’i shtohen kryeqytetit! ?? Sot, nënshkruam kontratën për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tri shkollave të reja në Prishtinë. Sofali, Mat 1 dhe Prishtina e re ne Veternik. Faleminderit ekipit të Departmentit të Partneritetit Publiko-Privat (PPP) për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm! ? #kryeqyteti“, kishte shkruar Rama.

Ku do të ndërtohen shkollat?

Bëhet fjalë për shkollat në lagjen Mat, Sofali e Veternik (afër Lagjes Qendresa). Gjithçka ishte planifikuar të bëhet në bashkëpunim me IFC (Banka Botërore) dhe për herë të parë në Kosovë me metodën PFI (Private Finance Initiative). Shkollat janë dizajnuar nga një kompani italiano-kolumbiane, e përzgjedhur nga Banka Botërore dhe ato mëtohet të jenë ndër shkollat më moderne në Kosovë.

Shkolla në SOFALI

Kjo shkollë ka një kapacitet për 720 nxënës me 5,656 m2. Etazhiteti P+2 (tri nivele katesh). Shkollë. Niv. 3 – Parafillor + Fillor + Mesëm i ulët (PF+F+MU). Numri i cikleve 2 cikle (nga 2 cikle/paralele për secilin nivel arsimor). Nr. nxënës. klasë 36 nxënës. Nr. klasave 20 për 2 ndërrime.

Shkolla në “Prishtina e re” – Zona Perëndimore

Do të ketë 6,726 M2. Shkollë. Niv. 3 – Parafillor + Fillor + Mesëm i ulët (PF+F+MU). Numri i cikleve 3 cikle/paralele (nga 3 cikle/paralele për secilin nivel arsimor). Nr. nxënës. klasë 36 nxënës. Nr. klasave 30 për 3 cikle/paralele ne secilin nivel. Kapacitet gjithsej 1080 nxënës, 1 ndërrim.

Shkolla në “Mati 1”

Do të ketë 5,062 M2. Shkollë. Niv. 3 – Parafillor + Fillor + Mesëm i ulët (PF+F+MU). Numri i cikleve 2 cikle/paralele (nga 2 cikle/paralele për secilin nivel arsimor). Nr. nxënësve. klasë 36 nxënës. Nr. klasave 20 për 2 cikle/paralele ne secilin nivel. Kapacitet gjithsej 720 nxënës, 1 ndërrim.

Ideja është që struktura e shkollave të jetë e hapur dhe e gatshme për t’iu përshtatur kërkesave që mund të vijnë në të ardhmen, duke e lënë mundësinë për anekse varësisht nevojës. Secili nga modulet do të jetë fleksibil për ndryshime brenda të njëjtit lokacion. /Demokracia.com/

Të ngjashme