Lajme
“Të parët në Ballkanin Perëndimor” | Kurti mburret me sundimin e ligjit, ndonëse në Kosovë hynë rreth 100 terroristë me autoblinda dhe arsenal ushtarak
Demokracia
11:04 | 15 Tetor 2023

Share:

“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj, tani e sot, më shumë se kurdoherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. A ka shumë punë e sfida? Po, sepse ato janë të trashëguara, por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim”.

Ky ishte konstatimi dhe premtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 19 tetor të vitit 2021, derisa po dikutohej për gjendjen e sigurisë në veriun e vendit. Për muaj të tërë, Lëvizja Vetëvendosje dhe zyrtarët e lartë të saj ndoqën këtë linjë të argumentimit, se me ardhjen në pushtet të tyre ka ndryshuar edhe gjendja në veriun e Kosovës.

Sipas Kurtit dhe Vetëvendosjes, në veriun e Kosovës ka më shumë sovranitet, rend e ligj, se kurrë më parë, shkruan Demokracia.com.

Por, dy vite më vonë, këto që deklaronte kryeministri Kurti dolën se ishin të pavërteta, pasi si kurrë më parë, në veriun e Kosovës arritën të hyjnë rreth 100 terroristë të armatosur rëndë e me dhjetëra paisje ushtarake. Madje, edhe me autoblinda, pikërisht sepse nuk kishte vendosur rend e ligj. Për më tepër, edhe serbët e integruar u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të qasjes politike të tij.

Të njëjtit, pas një përplasje me Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, u lanë të lirë për t’u arratisur në Serbi. Grupi terrorist kishte vrarë mëngjesin e datës 24 shtator 2023 rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe kishte plagosur një tjetër.

Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, në sulmin terrorist kanë marrë pjesë më shumë se 100 persona, duke konfirmuar se bëhet fjalë për më sumë persona sesa numri fillestar i publikuar nga institucionet kosovare për 30 apo rreth 80 persona.

Hoxha: Mbi 100 persona kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë

Që nga ardhja në pushtet, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë përpjekur vazhdimisht që të paraqesin një tablo tjetër të situatës në veriun e Kosovës, pra si një pjesë e territorit që është vëndosur nën kontroll dhe ku ka rend e ligj.

“Sa i përket sovranitetit, ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë atje, përmes aktiviteteve siç është Policia e Kosovës që kontrollon rripin kufitar apo brezin kufitar me Serbinë, kontrollon pikat kufitare me Serbinë, kontrollon Ujmanin dhe patrullon në secilën pjesë në veri”, deklaronte deputeti i VV-së dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, më 20 dhjetor 2022, si për të argumentuar strategjinë e pushtetit për të prezantuar një situatë më ndryshe.

Deputeti i Kurtit, Adnan Rrustemi, e gënjen veten dhe qytetarët: Ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë në veri

Deklarata e Rrustemit vinte në kohën kur Qeveria Kurti nuk kishte arritur të ofronte ambient të sigurtë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunt e veriut të Kosovës, duke e detyruar presidenten Osmani që të vendoste për shtyrjen e tyre për datën 23 prill 2023.

Disa muaj më vonë, këto zgjedhje u mbajtën, por Qeveria Kurti kishte dështuar sërish të siguronte hapjen e qendrave të votimit në objektet shkollore të veriut të Kosovës.

Zgjedhje nëpër kontejnerë | Dështon Kurti dhe Osmani, nuk sigurojnë hapjen e të gjitha qendrave të votimit në veri

Edhe përkundër këtyre dështimeve, Kurti dhe zyrtarët e lartë të partisë në pushtet, vazhdonin të mbronin qëndrimin e njëjtë se veriu nuk ka qenë kurrë më i kontrolluar nga Republika e Kosovës.

Pavarësisht sfidimit të vazhdueshëm të shtetit të Kosovës nga aktivitetet kriminale e terroriste në veriun e vendit, kryeministri Kurti vazhdon të mburret me sundimin e ligjit. Së fundmi, ai ka prezantuar të dhëna, në mesin e të cilave pretendohet se Kosova është “në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor në sundim të ligjit”.

Megjithatë, sundimi i ligjit duket të jetë aq i madh në veriun e vendit, saqë pushteti i Kurtit as zgjedhje demokratike nuk po është në gjendje të organizojë dhe mbajë. /Demokracia.com/

Të ngjashme