Lajme
Deputeti i Kurtit, Adnan Rrustemi, e gënjen veten dhe qytetarët: Ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë në veri
Demokracia
18:28 | 20 Dhjetor 2022

Share:

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, derisa foli për situatën në veri të vendit, tha se në këtë pjesë të Kosovës ka sovranitet si asnjëherë më parë.

Sipas Rrustemit, sovraniteti simbolizohet përmes pranisë së shtetit dhe siç tha ai, kjo është e pranishme si asnjëherë më parë në veri.

“Sa i përket sovranitetit ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë atje, përmes aktiviteteve siç është Policia e Kosovës që kontrollon rripin kufitar apo brezin kufitar me Serbinë, kontrollon pikat kufitare me Serbinë, kontrollon Ujmanin dhe patrullon në secilën pjesë në veri. Në anën tjetër, janë larguar zyrtarët nga institucionet lokale atje, të cilat ishin në krijimin e integrimit. Do më thënë nëpërmjet amnistimit të strukturave ilegale. Pastaj u pa se ishte një ngrehinë artificiale e paqëndrueshme dhe që në momentin e parë kur u përballën me një vendim të autoritetit të Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë, ata i kanë shfrytëzuar institucionet e Kosovës për agjenda të Serbisë. Tash natyrisht se ka vështirësi për institucione të caktuara, por kjo nuk bëhet fjalë për sovranitet. Do më thënë nëse sovranitet simbolizohet përmes pranisë së shtetit, ajo është më e pranishme si asnjëherë më parë”, tha Rrustemi për RTV21, transmeton Demokracia.com.

Ai tha më tej se komuniteti serb nuk është duke u përdorur si levë për destabilizimin e vendit.

“Por ne kuptohet jemi të përkushtuar që të ketë përfshirje reale të mirëfilltë, demokratike të komunitetit serb në secilin institucion, në secilin nivel, si një raport bashkëpunimi dhe respektimit të rendit tonë kushtetues dhe ligjor, jo si një mashë apo levë që përdoret për ta defunksionalizuar Kosovën, për ta penguar Kosovën dhe për ta cenuar Kosovën”, përfundoi Rrustemi.

Ndryshe, nga 10 dhjetori rrugët që të çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak janë të bllokuara. Serbët lokalë në atë pjesë kanë vendosur barrikada si shenjë proteste pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq./Demokracia.com/

Të ngjashme