Lajme
Të paktën katër të vrarë në Ukrainë nga sulmet ruse me raketa
Demokracia
20:28 | 31 Korrik 2023

Share:

Raketat ruse goditën të hënën në mëngjes një kompleks apartamentesh dhe një godinë universitare në qytetin qendror të Ukrainës, Kryvyi Rih, duke shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve, ndërsa banorë të tjerë u bllokuan nën rrënoja, tha ministri i brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko.

Një vajzë 10-vjeçare ishte mes të vrarëve, thanë zyrtarët. Guvernatori i Dnipros Serhii Lysak tha se 53 persona u plagosën nga sulmi.

Ekipet e shpëtimit u përpoqën të gjenin njerëzit e bllokuar nën rrënoja në qytetin që është vendlindja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Forcat e Kremlinit e kanë vënë shpesh në shënjestër qytetin që kur filluan agresionin në Ukrainë në shkurt 2022.

Zyrtarët rusë kanë këmbëngulur se ata vënë në shënjestër vetëm objektiva legjitime ushtarake, por Ukraina dhe mbështetësit e saj thonë se vdekjet masive të civilëve gjatë sulmeve janë dëshmi e krimeve të luftës.

Ndërkohë, një sulm i artilerisë ukrainase në provincën pjesërisht të pushtuar të Donetskut, shkaktoi vdekjen e dy personave dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve në kryeqytetin rajonal, sipas Denis Pushilinit, udhëheqësi i caktuar nga Moska i provincës së aneksuar në mënyrë të paligjshme. Ai tha gjithashtu se edhe një autobus u godit nga forcat ukrainase në qytetin Donetsk.

Pretendimet e asnjërës nga palët nuk kanë arritur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Kundërofensiva e fundit e forcave ukrainase që kanë marrë armatime nga aleatët perëndimorë të Kievit, u intensifikua javën e kaluar. Në të njëjtën kohë, Ukraina po përpiqet ta bëjë efektin e luftës të ndjehet brenda në Rusi. Gjatë fundjavës, ushtria lëshoi dronë për të goditur objektiva deri në Moskë, duke dëmtuar dy ndërtesa në qytet.

Rusia ka forcuar sigurinë pas atij sulmi, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke e përshkruar sulmin si një “akt dëshpërimi”. “Regjimi i Kievit është në një situatë shumë, shumë të vështirë,” tha zëdhënësi Peskov, “pasi kundërofensiva nuk po funksionon siç ishte planifikuar”.

Një tjetër dron ukrainas vuri në shënjestër një departament të policisë së qarkut të hënën herët në mëngjes në rajonin Bryansk të Rusisë, në kufi me Ukrainën, por nuk pati viktima, tha guvernatori lokal.

Sulmet ukrainase me dronë në Rusi dhe territorin e aneksuar nga Moska, veçanërisht në Krime, janë bërë më të shpeshta./VOA

Të ngjashme