OpEd
Të gjithë mund të mësojmë nga qasja finlandeze për mbrojtjen
Demokracia
20:16 | 10 Shkurt 2023

Share:

Nga: Elisabeth Braw, The Financial Times

Kur një vit më parë Rusia e pushtoi Ukrainën, Kievi e befasoi Kremlinin duke e shpërfaqur nivelin me të cilin ukrainasit ishin të gatshëm ta mbrojnë vendin e vet. Shtetet e tjera duhet të jenë të vëmendshme – edhe nëse pushtimi i tillë nuk është i mundshëm – sepse mbrojtja e vërtetë është më shumë sesa thjeshtë blerja e armëve – ajo e përfshin gjithë popullsinë. Finlanda për dekada të tëra i ka angazhuar qytetarët e vet në iniciativat e sigurisë kombëtare, me rezultatet që tregojnë se shembulli i tyre duhet të ndiqet.

Sipas sondazhit vjetor të kryer nga Ministria finlandeze e Mbrojtjes, 82 për qind e banorëve të vendit thonë se do të jenë “gati për të marrë pjesë” në aktivitetet e mbrojtjes. Nuk është kjo qasje e re. Pesë vjet më parë, 87 për qind u përgjigjën me “po”.

Është e mundur, pra, që në popullatë të krijohet vullneti për t’u mbrojtur edhe kur Hanibali nuk është para portave. Por, si munden shtetet t’i shtyjnë të gjitha segmentet e shoqërisë për të marrë pjesë në këtë?

“Po, Finlanda ka kufi shumë të gjatë me Rusinë, por ne gjithashtu kemi demokraci të suksesshme, kemi sundim të ligjit, kemi shoqëri që funksionon si duhet, kështu që kemi diçka për të mbrojtur”, më thotë admirali në pension, Juhani Kaskeala, ish-shef i mbrojtjes. “Dhe, ne bëjmë shumë trajnime dhe ligjërime në mënyrë që e gjithë shoqëria të përfshihet në mbrojtjen e vendit”.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak për burrat është veçse një pjesë. Fëmijët në shkollë mësohen se si ta vlerësojnë saktësinë e informacionit, ndërsa të rriturit mund t’ju bashkohen falas kurseve për përgatitjen për urgjenca – përfshirë këtu ndihmën e parë, shuarjen e zjarrit dhe vetëmbrojtjen.

Drejtuesit e të gjithë sektorëve, përfshirë politikën, biznesin, qeverinë dhe shoqërinë civile, e ndjekin Kursin prestigjioz të Mbrojtjes Kombëtare në të cilin pjesëmarrësit mësojnë për reagimin ndaj llojeve të ndryshme të krizave. “Familjet, sistemi shkollor, Kursi i Mbrojtjes Kombëtare, që të gjithë janë pjesë e edukimit”, thotë gjenerallejtënanti i pensionuar, Arto Räty, ish-drejtor i Kursit të Mbrojtjes Kombëtare. “Kjo do të thotë se gjeneratat e reja që vijnë në pushtet, janë të lidhura me mbrojtjen kombëtare. Dhe, në këtë mënyrë, gjithë njerëzit e tjerë që nuk shërbejnë në forcat e armatosura, mund të ndihen gjithashtu të lidhur me mbrojtjen”.

Qeveria finlandeze gjithashtu ka frontin e bashkuar. Komiteti i Sigurisë, organ ky i përbërë nga nëpunësit më të lartë civilë të qeverisë, merret me bashkëpunimin ndërmjet agjencive. “Që e gjithë qeveria ta bëjë pjesën e vet për ta mbajtur vendin të sigurt, nevojitet bashkëpunimi ndërinstitucional i cili bazohet në besim”, thotë Kaskeala.

Menjëherë pas reagimit jo të duhur ndaj uraganit Katrina, që bëri me dije për boshllëqet e rrezikshme në bashkëpunimin mes agjencive qeveritare të ShBA-së, një zyrtar i lartë ushtarak amerikan dhe ekipi i tij e vizituan Finlandën për të kuptuar se si finlandezët ia dalin me këtë. “Njëra nga pyetjet e para ishte: ‘Nëse roja bregdetare mbështet, le të themi, Ushtrinë apo Ministrinë e Komunikimeve, kush paguan?’”, kujton Kaskeala. “Në Finlandë kjo bazohet në besim. Nëse të jap diçka, besoj se do të më mbështesësh kur kam nevojë”. Pagesa mbulohet gjithashtu nga legjislacioni.

Menaxhimi i duhur i rekrutimit në Finlandë, ia ofron kombit një përparësi kur është fjala te mbrojtja. Megjithatë, çdo vend mund t’i përfshijë qytetarët e vet – dhe qeveritë e vendeve të zhvilluara kanë mundësi ta bëjnë këtë në një masë.

Nga të gjitha shtetet anëtare të OECD-së [Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik], 17 prej tyre, përfshirë Gjermaninë, Australinë dhe pjesën më të madhe të Evropës Veriore, e kanë besimin e më shumë se të gjysmës së popullatës. Qeveritë do të bënin mirë ta njihnin lidhjen mes një qeverie të besueshme dhe vullnetit të qytetarëve për t’u mbrojtur. Ato duhet t’jua ofrojnë njerëzve mundësinë për të ndihmuar në mbajtjen e vendit të sigurt. Kur ndodhë ndonjë krizë, do të kuptojnë se ky investim i lanë shpenzimet e mëdha. Në fakt, në radhë të parë mund të ndihmojë në parandalimin e një krize.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024