OpEd
Të gjitha gënjeshtrat e Berishës mbi Yuri Kim dhe McGonigal
Demokracia
08:24 | 19 Shkurt 2023

Share:

Nga Mero Baze

Sali Berisha ka sulmuar në daljen e tij të fundit tek ish- kolegia e tij Grida Dume, ambasadoren e SHBA në Tiranë Yuri Kim, duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me ish- agjentin e FBI McGonigal dhe kryeministrin Edi Rama, për të komplotuar ndaj tij dhe mbështetësve të tij në opozitë.

Duke pasur parasysh standardet që ai ka në mendje për shtetin ligjor në Shqipëri, dhe duke i transferuar ato në SHBA, ai ndërkohë u jep shqiptarëve një përfytyrim të përmbysur për SHBA, si një vend, ku me para mund të blesh presidentin, sekretarin e Shtetit, drejtësinë dhe gjithçka tjetër.

Por për ta bërë të besueshme këtë, më parë ka shpikur një skemë bashkëpunimi mes Edi Ramës, Ambasadës së SHBA në Tirane drejtuar nga Yuri Kim dhe ish- agjentit të FBI McGonigal.

Le t’i marrim me radhë gënjeshtrat e tij.

Gënjeshtra e parë.

Sipas Berishës, McGonigal ka bashkëpunuar me Yuri Kim dhe Edi Ramën për t’u vënë gjoba biznesmenëve që kanë mbështetur “Foltoren” financiarisht, sipas tij.

Së pari, le t’i vendosim ngjarjet në kohë. Ish- agjenti i FBI McGonigal ka ardhur në Shqipëri sipas gjithë fakteve të provuara në vjeshtën e vitit 2017 dhe vitin 2018. Në atë kohë në Shqipëri ka qenë ambasador i SHBA Donald Lu dhe jo Yuri Kim. Kjo e bën gjithçka qesharake.

Së dyti, brenda gënjeshtrës së parë, Yuri Kim ka ardhur ambasadore më 2020, ndërsa “Foltorja” e Sali Berishës ka nisur në shtator 2021.

Pra McGonigal ka ardhur më 2018, Yuri Kim më 2020, ndërsa Foltorja më 2021. Se si mund të bëhen bashkë të trija këto në një ditë, vetëm një i rrjedhur nga trutë mund ta shpjegojë.

Gënjeshtra e dytë që po prodhon Berisha është se përmes McGonigal është lobuar që Berisha të shpallet “non grata”. Këtu bën të vetën dhe zilia që ka se për paratë ruse që akuzohet Basha, ka disa indicia, kurse për këtë asgjë. Për “non gratën” nuk ka asnjë fakt dhe asnjë dëshmi, përveç një deklarate të vet Berishës që citohet nga Belind Këlliçi dhe që i referohet një blog anonim i Berishës në anglisht, në SHBA.

Pra i vetmi fakt është dëshira e Berishës që të fabrikojë se për shpalljen e tij “non grata” është lobuar nga Rama dhe McGonigal. Më parë ka qenë Sorosi në plan të parë. Me sa duket Berisha është gati të shpjegojë fatkeqësinë e tij dhe turpërimin familjarisht, me çdo lloj skandali që i dëgjojnë veshët në SHBA apo Shqipëri.

Nga ana tjetër, ai nuk shpjegon dot para gazetarëve, se kush i ka shpallur politikanët e tjerë “non grata” në Shqipëri, disa prej të cilëve i përkasin dhe Partisë Socialiste, ose të afërt me të. Dhe mbi të gjitha, nuk e shpjegon dot se si presidenti i SHBA apo sekretari i Shtetit, nga gjithë personat e dizajnuar si “non grata” në Shqipëri dhe botë, kanë pasur të drejtë për të gjithë, përveç Sali Berishës, gruas, vajzës dhe djalit të tij, hajdutë.

Gënjeshtra e tretë është po ashtu lajmi i fabrikuar në një blog anonim të Berishës në gjuhën angleze, i cili thotë se biznesmenët e njohur shqiptar Shefqet Kastrati dhe Samir Mane, kanë paguar deri në 15 milionë euro për të mos u shpallur “non grata”. Sipas tij, këto para ja kanë paguar McGonigalit. Burimi i lajmit është sipas vet autorit të blogut, opozita shqiptare, pra zyra e Berishës.

Natyrisht nuk jam çmendur të analizoj se sa e pamundur është të paguash 15 milion euro në të zezë dhe t’i çosh në SHBA, dhe as të gjej logjikë përse duhen paguar këto para.

Por kjo gënjeshtër e Berishës është në të vërtetë një shantazh i tij ndaj këtyre dy biznesmenëve të mëdhenj, miq të afërt të tij, të cilët me sa duket nuk e kanë ndjekur me paratë e tyre, në aventurën e fundit të Foltores. Është një lloj hakmarrje primitive e tij për t’u treguar atyre se do t’i baltosë, si njerëz që janë “non grata” si ai, por që e kanë blerë SHBA me para.

Është ndoshta një nga poshtërimet më të mëdha që një politikan iu ka bërë miqve të vet biznesmenë në Shqipëri, një poshtërim që tregon në të vërtetë fytyrën e Sali Berishës dhe çdo të thotë të ndihmosh atë qoftë dhe me miliona. I mjafton braktisja një ditë për t’u vërsulur si hijenë.

Gënjeshtra e katërt është që ambasadorja Yuri Kim ka thirrur në Ambasadë biznesmenë të mëdhenj shqiptarë dhe i ka kërcënuar se do t’i shpallë “non grata” nëse financojnë “Foltoren” e Sali Berishës.

Që SHBA e ka bërë publike qëndrimin se kush ndihmon apo mbështet “Foltoren” nuk është person i dëshiruar i SHBA, kjo është e ditur. Por ambasadorja e SHBA nuk ka asnjë arsye të thërrasë biznesmenë në zyrë për t’i qortuar për këtë, pasi ende nuk ka ndonjë evidencë publike se kush qëndron pas financimit të Foltores.

Të gjithë besojnë dhe u duket logjike se pas “Foltores” qëndrojnë milionat e eurove që ka vjedhur Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, Argita Berisha dhe Liri Berisha nga shqiptarët, në kohën që ishin në pushtet dhe që vazhdojnë akoma me bizneset e tyre.

Vet Sali Berisha ka deklaruar publikisht se nuk ka harxhuar para për “Foltoren”, pasi të gjitha gjerat sipas tij i ka bërë falas, me kontributin e mbështetësve.

Nga na doli tani që paska biznesmenë që i kanë dhënë para dhe i paska kërcënuar Ambasada? Nëse ka biznesmenë që kanë dhënë para dhe ai nuk i ka deklaruar, atëherë ai ka punë me drejtësinë tone, jo me Ambasadën. Ambasada i ka publike qëndrimet e saj.

Gënjeshtrat e tij rreth kësaj teme janë të verifikueshme nga çdo shqiptar pasi për shkak të mungesës së respektit që ai ka për të vërtetën dhe faktet, ia bën të lehtë të gjithëve të kuptojnë se ose ka rrjedhur, ose thjesht gënjen.

Dhe e gjithë kjo e bën edhe më banal revolucionin e tij, i cili ka nisur të gjejë alibi për ndëshkimin e Berishës dhe do përfundojë të jetë arsye për mbretërimin e Edi Ramës.

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024