Lajme
Tallet pak Krasniqi: Mbështetja për komunat asnjëherë s’ka qenë më e madhe
Demokracia
17:42 | 24 Prill 2024

Share:

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka reaguar deputetes Hykmete Bajrami dhe deputetit Avdullah Hoti, pas reagimeve të tyre për grantin e performancës komunale, të cilët e kanë konsideruar si të pavërtetë ato të cilat i tha Krasniqi se granti ka qenë i anuluar.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka publikuar dokumentet për ndërprerjen e grantit që i takon vitit 2020.

“Për më tepër, për hir të informimit të qytetarëve, është Qeveria Kurti ajo që më datë 28 korrik 2021 e ka votuar koncept dokumentin për Ligjin për Performancën Komunale dhe Gratin e Performancës Komunale. Ligjin e kemi votuar në mbledhje të qeverisë me 10 dhjetor 2021, dhe pastaj i njëjti është votuar përfundimisht me 21 korrik 2022”.

Sipas tij, tashmë fondet janë ngritur nga 2 milionë në 8 milionë.

“Kjo ka ardhur pas mbështetjes së qeverisë e cila e ka institucionalizuar me ligj grantin e performances komunale”.

“Për dallim me udhëheqjen nga ministrat e qeverisë tuaj, ka më shumë fonde për komunat e asnjë fonde për RAD dhe kompanitë e udhëhequra nga Radoiçiq të cilat kanë përfituar nga qeverisja juaj në MAPL, vetëm në vitin 2015 kur Isa Mustafa ishte kryeministër, përfitoj mbi gjysmë milion euro”.

Ndërkaq sa i përket deklaratës së Hotit, i cili kërkoi përgjigje nga Krasniqi se përse i ka shpenzuar 3 milionë euro me kontratat njëburimore, ai theksoi se janë subvencione për mbështetjen e qytetarëve.

“Deputeti Hoti, nuk janë kontrata njëburimore në MAPL. Këtu janë subvencione për mbështetjen e qytetarëve dhe familjeve në nevojë dhe për subvencione nuk ka proces të prokurimit. Besoj ju e dini si funksionojnë këto procedura, nëse jo atëherë shihni foton”.

“Mbase po ju pengon mbështetja për komunitetet e margjinalizuara. E si duket edhe gjuha ju tradhtoi, sepse shtëpitë për komunitetet e margjinalizuara i shihni vetëm njëkatëshe dhe dy-tri dhomshe”.

Kurse, konsideroi se mbështetja e pushtetit për komunat asnjëherë s’ka qenë më e mirë.

“Për fund, mbështetja e Qeverisë për Komunat asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Krahasoni vitin 2021 kur buxheti i komunave ishte 546.8 milionë euro, me vitin 2024, kur buxheti i komunave është 742.3 milionë euro”.

Pas një deklarate të cilën e shkroi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të martën ku tha se grantin e performancës komunale e gjetën të anuluar dhe e rikthyem sërish, ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e cila ka thënë se Krasniqi nuk e ka gjetur këtë grant të anuluar.

Ajo tutje ka thënë se vendimi për fondet e këtij dikasteri ishte marrë në 2017 në kohën e qeverisë së ish kryeministrit Isa Mustafa.

Krasniqi, të martën deklaroi se në secilën fushë kanë ndërmarrë masa konkrete për të fuqizuar projektin dhe për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe transparent.

Por, që sipas tij gara në mes komunave s’është vetëm procedurale por përmbajtërsore.

Në shkrimin e tij ministri kishte radhitur hapat që ka ndërmarrë dhe disa procese të cilat janë duke vazhduar për grantin.

Të ngjashme