Lajme
Tahiri nervozohet me pushtetin rreth Trustit: “Turp, për kë po punoni?”
Demokracia
20:26 | 16 Janar 2023

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ia ka shtruar një pyetje pushtetit duke i thënë se ‘për interesa të kujt po punon’, teksa u ka bërë thirrje që ta votojnë tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti.

Sipas tij, mjetet e Trustit janë para së gjithash mjete të qytetarëve.

“Qeveria ka më shumë rol kujdestarues për to. Mohimi i qasjes dhe shfrytëzimit të një përqindje nga vet kontributdhënësit, është qasje nënshtruese në emër të barazisë dhe sigurisë sociale”, shkroi ai në Facebook.

Ai shtoi se Qeveria Kurti as pas dy vitesh nuk po arrin ta kuptoj se e vetmja rrugëdalje nga varfëria është zhvillimi ekonomik dhe njerëzor.

“Për interesa të kujt po punoni? Pse mos të lihet një periudhë 1 mujore për ata që duan ta tërheqin një pjesë të kontributit të tyre. Do ta kuptonit që 99% e qytetarëve do ta shfrytëzonte atë mundësi”, vijoi ligjvënësi opozitar.

“Por ju e keni ndarë mendjen, dhe po ushtroni një dhunë të dyfishtë mbi njerëz. Po mohoni mjetet si dhe po dhunoni vullnetin e lirë. Krejt kjo në emër të asaj se ju po shihni dhe po dini se çfarë na pret pas 10, 15, 20 viteve, përderisa as sot e kësaj dite, nuk jeni të aftë ta definoni as vlerën e një koeficienti të pagës. 51% – shi i para dy viteve po shkelë vullnetin e 99% të qytetarëve. TURP!”, përfundoi Tahiri.

 

Të ngjashme