Lajme
Arratisja e Sekiraqës | Ky është neni i Kodit të Procedurës Penale që e ndryshoi Qeveria Kurti dhe që do t’i mbante në burg të dënuarit “prej 5 ose më shumë vjet burg”
Demokracia
12:33 | 22 Maj 2024

Share:

“Nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues shqipton dënim prej pesë (5) ose më shumë vjet burg të akuzuarit ia cakton paraburgimin, nëse ai nuk gjendet në paraburgim, ose ia vazhdon atë kur i akuzuari gjendet në paraburgim”.

Ky është paragrafi 2 i nenit 367 për paraburgimin pas shpalljes së Aktgjykimit, i Kodit Nr. 04/L-123 për Procedurën Penale i vitit 2012 dhe i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Kod i Procedurës Penale (04/L-123) nuk ishte ndryshuar deri në vitin 2022, pra deri në ardhjen e Qeverisë së re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Nëse paragrafi 2 i nenit 367 nuk do të ndryshonte, Enver Sekiraqa nuk do të mund të arratisej, pasi nga salla e gjyqit ai do të dërgohej në burg. Dënimi i tij kalonte periudhën “prej 5” ose “më shumë vjet burg”, si kushte kryesore për të caktuar paraburgimin ose për t’ia vazhduar nëse veç gjendet në paraburgim.

Megjithkëtë, më 3 maj 2024, krahas dënimit prej 25 vitesh për Sekiraqën, Gjykata Themelore në Pishtinë mori edhe një vendim tjetër, atë të mbrojtjes në liri, duke ia hequr edhe masën e arrestit shtëpiak.

Kodi 08/L-032 i Procedurës Penale, i vitit 2022, nuk e përmbante më periudhën kufizuese “prej 5” ose “më shumë vjet burg”, si kushte kryesore që do t’ia vazhdonin atij masën e paraburgimit.

2022 – QEVERIA KURTI LARGOI KUFIZIMIN “PREJ 5” OSE “MË SHUMË VJET BURG”

Më 1 tetor të vitit 2021, vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria e re e udhëhequr nga Kurti kishte filluar procesin e hartimit të Kodit të Procedurës Penale, i cili do të miratohej në Kuvend një vit më pas, në vitin 2022.

Në paragrafin 7 të nenit 366 për paraburgimin me rastin e marrjes së Aktgjykimit, i mbetet të akuzuarit të dënuar me burgim, i cili gjendet në paraburgim, që me kërkesën e tij të mund të transferohet për mbajtjen e dënimit para se aktgjykimi të merr formë të prerë.

“I akuzuari i dënuar me burgim, i cili gjendet në paraburgim, me kërkesën e tij mund të transferohet me aktvendim të gjyqtarit të vetëm gjykues ose të kryetarit të trupit gjykues në institucionin për mbajtjen e dënimit para se aktgjykimi të merr formë të prerë”, thuhet aty.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shumë raste ka prezantuar dhe mbrojtur këtë Kod.

Në një rast, para anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, ajo kishte theksuar përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës në avancimin e drejtësisë penale për të vendosur sundim të ligjit në vend.

“Vizioni ynë parasheh që sundimi i ligjit të bëhet përmes fuqizimit dhe funksionimit efikas të gjyqësorit dhe prokurorisë, avancimit të drejtësisë penale, përmirësimit të qasjes në drejtësi si dhe luftës të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaronte Haxhiu në tetor 2021.

Por, pavarësisht këtyre mburrjeve të ministres Haxhiu dhe Qeverisë Kurti, Kodi i Procedurës Penale i hartuar nga kjo Qeveri, duket se nuk ka dhënë provimin në një pikë kaq thelbësore për ekzistencën e një Kodi të Procedurës Penale, pasi që një i dënuar me 25 vite burg nuk është në duart e institucioneve të drejtësisë.

18 MAJ 2024 – MINISTRJA E DREJTËSISË, HAXHIU: KY RAST NGRE DYSHIME PËR PËRFSHIRJE TË GJYQËSORIT NË KORRUPSION

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arratisjes së Enver Sekiraqes, duke thënë se dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht.

Haxhiu ka thënë se kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës.

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

21 MAJ 2024 – KRYEMINISTRI KURTI SULMON GJYQËSORIN

Më 21 maj 2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar sistemin gjyqësor për arratisjen e të dënuarit për vrasjen e policit Triumf Rizës, Enver Sekiraqën, duke e quajtur atë si një dështim të sistemit gjyqësor.

“Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi”, është shprehur Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë, reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë, urgjencë institucionale, urgjencë shtetërore, urgjencë kombëtare”, ka shtuar Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme