Lajme
As letra nuk kreu punë: Si e humbën aleatët perëndimorë besimin në Albin Kurtin dhe qeverinë e tij?
Demokracia
13:18 | 22 Maj 2024

Share:

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës, në një përpjekje të fundit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, e dërgoi një letër në adresë të KiE-së, por gjithçka ishte e kot. Letra, ndonëse ishte zotim zyrtar, nuk kreu punë, pasi treshja evropiane – Franca, Gjermania e Italia – kërkuan hapa konkret dhe jo zotime.

Një letër e tillë, sipas analizave, del të jetë një shpërfaqje e mosbesimit të ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin kurti.

Madje, në këtë linjë interpretimi, ishte edhe gazeta e njohur zvicërane “NZZ”, e cila në një artikull relativisht të gjatë, shkroi se dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në KiE është indikativ “se Perëndimi e ka humbur besimin në Prishtinën”.

“Ky episod është indikativ se Perëndimi e ka humbur besimin në Prishtinën. Ministrat e jashtëm, besojnë se Albin Kurti bën lëvizje vetëm nën presion të madh. Megjithëse Asociacioni i komunave serbe aktualisht nuk ka të bëj asgjë me Këshillin e Evropës, por është temë në negociatat mes Kosovës dh Serbisë, Perëndimi, definitivisht dëshiron progres në këtë temë.

Kurti nuk ka besim në këtë proces dhe në vend të kësaj, dëshiron të krijojë fakte kundër Serbisë dhe këtu përfshihet edhe aksioni kundër përdorimit të dinarit srb në Kosovë.

Duke vepruar kështu, ai nuk ‘ofendon vetëm Beogradin’ por edhe aleatët Perëndimor, të cilët garantojnë sigurinë e Kosovës me praninë e trupave të KFOR-it Uashingtoni ka shprehur frustrimin e tij në pranverë. Një çakordim i tillë me aleatët kyç është problem madhor për një shtet që varet shumë në mbështetjen ndërkombëtare” – shkruajti dje “NZZ”, transmeton Nacionale.

Ditë më parë, të njëjtën narrative e shtyu përpara deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi. Duke folur për KP-në, Musliu tha se aleatët e kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti.

“Kërkesat me ngulm për anëtarësim në KiE tregojnë qartë që aleatët tanë kanë humb besimin në qeverinë Kurti. Ata nuk besojnë në zotime, përfshi letrën e dërguar ku premtojnë implementimin e asociacionit, miratimin e Kodit Civil dhe shumë çështje tjera, nënshkruar nga Vjosa, Albini e Glauku!

Kauzat e Albinit të përdorura vetëm sa me ardhur në pushtet duke mos kursyer asnjë mjet ndaj partive në pushtet, sot po i kthehen bumerang! Pavarësisht kësaj, interesi i Kosovës mbi të gjitha! Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë anëtarësimin në KiE! E pafalshme do të jetë humbja e një momentumi të tillë” – tha deputetja e PDK-së.

Ndërsa në sytë e Arton Demhasajt, analist në Tëvë1, partnerët perëndimorë e kanë humbur totalisht besimin ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Humbje totale të besimit të partnerëve perëndimorë ndaj qeverisjes në Kosovë pikë. Amerikanët, francezët dhe gjermanët më nuk kanë besim në mënyrën se çysh po qeveriset Kosova. Prandaj kemi ardhë në këtë pikën që ne sot po na kërkohet që jo me hy në Këshill të Evropës e pastaj me bë Asociacionin, sepse më nuk po na besojnë, dikur na besojshin thonin po mundeni me shpallë pavarësinë dhe pastaj me kry çështjen e decentralizimit dhe çështje të tjera” – tha Demhasaj ditë më parë.

Sjellim ndër mend që Kosova e humbi rastin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke ngjallur një zgjënjim e kritika të shumta ndaj Qeverisë Kurti.

Të ngjashme