Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që kryeministri Albin Kurti të rrisë pagat e mësimdhënësve dhe sipas tyre seanca e sotme e Kuvendit nuk duhet të përcillet me fjalime të zakonshme por me qëndrime konkrete nga ekzekutivi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se mësimdhënësit presin sot nga kryeministri lajmin për Ligjin e pagave.
“Mbi 23 mijë mësimdhënës parauniversitarë presin nga kjo seancë solemne dy lajme, lajmi për datën kur do të hyjë në fuqi Ligji i pagave dhe presin, nëse ka pasur 10 përqind rritje ekonomike, shtesën që ata duhet të marrin nga shteti në këtë shtrenjtim të madh. Nëse kjo kthehet në seancë normale, ky është një mashtrim i radhës. Kryeministri duhet t’i lërë fjalimet e bukura elozhe, duhet të marrë vendime, duhet të rrisë pagat e të gjithë mësimdhënësve”, ka thënë Tahiri.