Lajme
Szunyog takon komandantin e KFOR-it, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë
Demokracia
16:51 | 22 Nëntor 2023

Share:

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, këtë të mërkurë, ka takuar komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, Ozkan Ulutas.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, diplomati çek, ka njoftuar se me Komandantin e KFOR-it, kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

“Diskutuam edhe rolin e KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë si dhe bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s në terren”, ka shkruar Szunyog në X.

Ndryshe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç, ka përcjellur të martën kontingjentin e 40-të të ushtarëve kroat (HRVCON) në operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë, në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), transmenton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, në dritën e ngritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrezikut të përshkallëzimit.

Forcat e Armatosura të Kroacisë kanë marrë pjesë në operacionet e KFOR-it në Kosovë që nga 16 qershori i vitit 2009, bazuar në vendimin e Kuvendit të Kroacisë në korrik të 2008-së. Për vitin 2023 dhe 2024, ekzekutivi kroat ka miratuar pjesëmarrjen e deri në 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë në misionin paqeruajtës në Kosovës.

Disa shtete evropiane kanë rritur tashmë prezencën në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash dhe Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Të ngjashme