Lajme
Szunyog dhe Konjufca dënojnë gjuhën e urrejtjes në Kosovë – Kërkohen më shumë masa për ta parandaluar
Demokracia
11:14 | 20 Shtator 2023

Share:

Është mbajtur konferenca e nivelit të lartë për “gjuhën e urrejtjes në diskursin publik”, ku shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se çdo lloj i urrejtjes është i papërputhshëm me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

Szunyog tha se për BE-në, gjuha e urrejtjes është krim serioz, pasi sipas tij, ndikon shumë në të drejtat fundamentale të individëve, shoqërisë dhe e minojnë vetë themelin e shoqërisë kosovare.

“Gjuha e urrejtjes dhe kthimi i urrejtjes do të jenë në të njëjtin grup të krimeve sikurse terrorizmi, trafikimi me qenie njerëzore, trafikimi i armëve e kështu me radhë”, tha ai.

“Gjuha e urrejtjes i prek ata më të ndjeshmit, komunitetin LGBTQ+, romët, ashkalinjë, egjiptianë dhe komunitetet e tjera joshumicë, vajzat, gratë nga të gjitha komunitetet, personat me aftësi të kufizuara dhe të gjitha grupet e tjera që ndihen sikurse është në disavantazh apo i margjinalizuar me pjesën tjetër të shoqërisë”, tha Szunyog.

Më tej, Szunyog tha se raportet rregullative të Kosovës kanë ndërmarrë masat e duhura për ta adresuar gjuhën e urrejtjes në Kosovë, teksa bëri ftesë që e njëjta të bëhet edhe në raportet e tjera vjetore.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë në konferencën e nivelit të lartë “gjuha e urrejtjes në diskursin publik” se gjuha e urrejtjes është fenomen global që po e sfidon secilin shtet. Konjufca tha se gjuha e urrejtjes rezulton nga abuzimi me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe është një keqpërdorim i një të drejte ekzistuese, teksa shtoi se si të tillë duhet luftuar.

“Pra, si e tillë, kur ajo e merr formën e urrejtjes dhe vendoset në shërbim të urrejtjes, atëherë kjo është një parapërgatitje dhe lehtësim i krimit dhe në të gjitha ato ngjarje tronditëse të historisë së njerëzimit, jemi përballur drejtpërdrejt me gjuhen e urrejtjes. E kemi kuptuar se kur disa institucione, disa individë që përfaqësojnë shtetin ty të shohin dhe të kategorizojnë si nivel të një qenie jonjerëzore, atëherë kjo është parapërgatitje për një mynyrë e cila nuk ka kufi dhe shkakton tragjedi të mëdha”, tha Konjufca, duke shtuar se gjuha e urrejtjes është shumë e sofistikuar, e cila mund të vërehet edhe në nëntekste të ndryshme të gjuhës publike në Kosovë, institucione, media e rrjete sociale.

“Fatkeqësisht në Kosovë na ka ndodhur që gjuhë të urrejtjes kemi zbuluar edhe në librat shkollorë, në institucionet tona të edukimit”, tha ai.

Të ngjashme