Sport
Superliga në shifra e fakte: Ballkani e Drita dy skuadrat e vetme pa humbje, Llapi pa fitore dhe vetëm me një gol të shënuar
Demokracia
10:54 | 21 Shtator 2021

Share:

Elita e futbollit kosovar tashmë ka zhvilluar pesë xhirot e para në BKT Superligë. Ashtu siç është pritur ky start ka sjell një garë joshëse dhe të luftuar shumë, por sigurisht që edhe befasitë nuk munguan, shkruan Demokracia.com.

Skuadrat të cilat gjenden aty ku edhe është pritur janë Ballkani e Drita, të cilat i prijnë renditjes tabelare me nga 11 pikë. Këta dy emra për momentin e mbajnë edhe epitetin e dy skuadrave të pamposhtura deri më tash.

Me nga tri fitore dhe dy barazime, Ballkani e Drita tash për tash janë klubet më serioze në luftë për titull.

Në anën tjetër, skuadra më e dështuar deri tash është Llapi që në pesë ndeshje ka tri humbje dhe dy barazime. Edhe Dukagjini është pa fitore e cila bashke me Llapin mbyllin pozitën e fundit në tabelë me nga vetëm dy pikë.

Llapi ka edhe një statistikë tjetër të tmerrshme ku në pesë ndeshje ka shënuar vetëm një gol dhe atë në barazimin 1:1 me Ulpianën.

Sigurisht që nismë aspak të mirë kanë Gjilani e Prishtina, edhe pse kjo e fundit me fitoren në xhiron e kaluar në Klinë kundër Dukagjinit, mund ta ketë lënë anash krizën, derisa Gjilani vazhdon vështirësitë derisa në javë e 6-të ka një ndeshje tejet të fortë ku ndeshet me rivalin e madh Dritën.

Dy skuadrat që kanë befasuar për të mirë, padyshim janë Malisheva dhe Drenica. Në pesë ndeshje ato kanë tubuar nga dhjetë pikë dhe nëse ruajnë këtë ritëm, atëherë mund të jenë rivale shumë të madhe në këtë kampionat.

Skuadrat që kanë shënuar më së shumti në pesë ndeshje janë Ballkani e Malisheva me nga tetë gola, derisa Ulpiana është klubi që ka pranuar më së shumti gola, plotë dhjetë sosh.

Gjithsesi, java e gjashtë që zhvillohet në fundjavë pritet të sqarojë shumë gjera, madje aty edhe të mësohet saktë se cilat skuadra mund të jenë në garë për titull e cilat do të luftojnë për mbijetesë. /Demokracia.com

 

 

Të ngjashme