Lajme
Sulmet kibernetike në Shqipëri nga i njëjti grup hakerësh, prokuroria kërkon ndihmën e 18 shteteve të huaja
Demokracia
17:28 | 11 Shtator 2022

Share:

Dy ditë më parë Shqipëria u godit nga një tjetër sulm kibernetik, i cili dyshohet të jetë kryer nga i njëjti grup hakerësh që kreu sulmin ndaj sistemeve qeveritare.

Të dy këto sulme po hetohen në një dosje të vetme pasi mendohet se shkaktar është Irani. Grupi hetimor që po punon mbi këtë dosje i kryesuar nga Bledar Valikaj, ka kërkuar edhe ndihmën e disa shteteve të huaja.

Burime pranë ministrisë së Drejtësisë bënë me dije se nëpërmjet 18 letërporosive, të cilat janë dërguar në shtete të ndryshme, kërkohet identifikimi i IP, të cilat rezultojnë të jenë të lëvizshme dhe përmes tyre janë sulmuar sistemet qeveritare dhe ai TIMS.

Sipas News24, kompania “Microsoft” e thirrur nga qeveria shqiptare për ndihmë thotë se arriti të gjurmojë 4 grupe sulmuesish të lidhur me shërbimet inteligjente të Iranit. Fillimisht hakerët ndërhynë në një server të pambrojtur të faqes administrata.al, në maj të vitit të kaluar që është edhe thyerja e parë e sistemit. Sulmi u përshkallëzua dhe korrik të 2022, hakerët tentuan inkriptimin dhe fshirjen e të dhënave në server, por sipas kompanisë sulmi dështoi.

Kompania thotë nga investigimi rezultoi se njëri prej grupeve, që u përfshi në hyrjen fillestare dhe vjedhjen e të dhënave, është i lidhur me EUROPIUM, një grup i lidhur publikisht me Ministrinë e Inteligjencës së Iranit. Mikrosoft thotë gjithashtu se janë zbuluar edhe të dhëna të tjera, që e lidhin sulmin me Republikën Islamike të Iranit.

Sulmi i dytë kibernetik pas korrikut vjen pak ditë pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi diplomatët iranianë nga vendi

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit janë të tensionuara prej vitit 2013, kur qeveria shqiptare strehoi anëtarët e grupit Muxhahedin, një grup opozitar ndaj regjimit në Teheran.

Të ngjashme