Lajme
Sot mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës për të zgjedhur kryesuesin
Demokracia
07:37 | 05 Janar 2022
Ilustrim

Share:

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mblidhen sot për të zgjedhur kryesuesin, ndërsa nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Mbledhja do të mbahet në orën 10:00, shkruan Demokracia.com.

Gjatë mbrëmjes të së martës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me Kujtim Shalën negociuan me ish-kandidatin e PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismailin, për arritjen e një koalicioni qeverisës.

Demokracia.com ka mësuar se për zgjedhjen e kësaj situate opsion është edhe zgjedhja e kryesuesit nga ana e opozitës, megjithatë mungesa e një koalicioni nga ana e LDK-së e çon qeverisjen e këtij subjekti politik drejt dështimit të sigurt, për shkak të mungesës së votave në Kuvendin Komunal.

Një koalicion i mundshëm është përmendur edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë. Por, gjatë së martës, ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë të ditur për Demokracia.com se nuk ka marrë ndonjë ofertë nga LDK-ja për koalicion.

Haradinaj ka thënë se do ta shqyrtojnë nëse marrin një ofertë të tillë, duke lënë të hapur mundësinë për koalicion me këtë parti.

“Deri tani nuk kemi pas asnjë ofertë të tillë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse do të ketë ndonjë ofertë sigurisht që do ta shqyrtojmë. Ne në orën 17:00 kemi një takim me degën e AAK-së, ende nuk kemi asnjë vendim të ri”, ka thënë Haradinaj për Demokracia.com.

Afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit është 6 janari. /Demokracia.com/

Të ngjashme