Lajme
Reuters shkruan për dronët që hedhin fara në Kosovë, përmes tyre kërkohet ndalimi i shpyllëzimit
Demokracia
14:46 | 14 Maj 2024

Share:

Një dron fluturues hedh fara bliri dhe pishe të mbështjella në tokë në një kodër djerrë jashtë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, pjesë e një përpjekjeje për të ripyllëzuar mijëra hektarë të humbur nga prerjet ilegale dhe zjarret.

Kështu fillon artikulli i Reuters, i  cili vazhdon me atë se ambientalistët thonë se shpyllëzimi, i nxitur edhe nga kërkesa për soba popullore me dru, po rrezikon kafshët e egra si arinjtë e murrmë, rrëqebulli, dhitë e egra dhe kaprolli, numri i të cilëve po zvogëlohet në Kosovë.

Siç raporton kjo media, një studim i organizatës jofitimprurëse Sustainability Leadership Kosova (SLK), vendi i vogël ballkanik po humbet më shumë se 700 hektarë pyje në vit.

SLK është bashkuar me kompaninë kroate Project 02 për të hedhur farat nga dronët, një proces që thuhet se është pesë herë më i shpejtë se mbjellja që bëjnë njerëzit dhe mund të arrijë zonat e largëta më shpejt.

“Duhet të bëjmë diçka tani, pyjet tona po shkatërrohen,” tha themeluesja e SLK-së Indira Kartallozi në fshatin Butovc afër Prishtinës, transmeton Klankosova.tv.

“Sot kemi hedhur 500 topa me shumë fara brenda dhe ky është vetëm fillimi para se të nis një ripyllëzim masiv në vjeshtë.”

Reuters thotë se kjo teknikë tashmë është përdorur në Shtetet e Bashkuara, Brazil, Afrikë dhe Evropë për të luftuar shpyllëzimin e shpejtë.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin vlerëson se pyjet me madhësinë e Portugalisë humbasin globalisht çdo vit, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Në artikull është bërë e ditur se për çdo fluturim në Kosovë, droni është i mbushur me rreth 100 topa të zinj të përbërë nga fara, të rrethuara nga një përzierje balte, rërë, biomasë e mbeturinave me minerale të pasura dhe përbërës të tjerë që mbrojnë farat nga insektet ose brejtësit.

Gjithashtu, droni mund të mbjellë një hektar në dy orë dhe ka nevojë për 2 mijë deri në 5 mijë topa, në varësi të llojit të farave.

“Avantazhi është se ne mund të mbjellim në çdo terren, veçanërisht në ato që nuk janë të arritshme për duart e njeriut,” tha ekspertja e zhvillimit të qëndrueshëm Lara Vukasovic nga Projekti 02.

Tutje, ajo është shprehur se rreth 25-30 përqind e farave mbijnë, kështu që mbillen tre herë më shumë sesa kërkohet.

Të ngjashme