OpEd
S’mund të përballemi të vetëm me Putinin, SHBA-ja duhet ta zgjerojë aleancën në Lindjen e Mesme
Demokracia
15:53 | 12 Maj 2022

Share:

Nga Dennis Ross “The Atlantic”

Presidenti rus Vladimir Putin, i ra ziles së alarmit për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, duke na kujtuar kolektivisht një numër të vërtetash: Fuqia e ashpër ka ende rëndësinë e saj. Kufijtë mund të ndryshohen me forcë. Se përpjekjet për të zhdukur kombet nga harta, nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës.

Dhe se konflikti dhe konkurrenca do të përcaktojnë peizazhin ndërkombëtar edhe për të ardhmen e parashikueshme. Në rast se duam të pengojmë të parën dhe t’i japim formë të dytës, ne kemi ende nevojë për partnerë. Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës dhe mizoritë e tij kanë ngritur në këmbë kundër saj pjesën më të madhe të botës perëndimore, shumë vende Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Latine vazhdojnë të qëndrojnë mënjanë.

Për më tepër, Putini ruan mbështetjen e Kinës dhe vendeve si Irani, të cilët nuk kanë interes të pranojë normat që Perëndimi beson se duhet të udhëheqin sjelljen e shteteve në arenën ndërkombëtare. Edhe pse Putini vazhdon luftën e tij kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë të mendojnë për ndërtimin e koalicioneve për periudhën pas përfundimit të luftës.

Kur Putini të vendosë t’i japë fund kësaj lufte, ne nuk mund t’i rikthehemi punës si zakonisht.

Mobilizimi i demokracive të Evropës dhe Azisë është vetëm fillimi. Presidenti Xho Bajden flet shpesh se aktualisht jemi në një pikë kthese në luftën midis demokracisë dhe autokracisë.

Por nëse e ndajmë botën vetëm sipas këtyre linjave ndarëse, përjashtojmë shumë kombe që na duhen për të qenë pjesë e çdo koalicioni global, që është i aftë t’i kundërvihet përpjekjeve të Rusisë dhe Kinës për të imponuar rregullat e tyre në sistemin ndërkombëtar.

Ne nuk mund kemi luksin të mbajnë larg këto vende, që mund të mos jenë tamam demokraci, por që nga ana tjetër nuk janë as shtete revizioniste. Në luftën kundër fuqive që janë të vendosura të krijojnë një normalitet të ri, në të cilin vendos ligji i të fortit, ne duhet të jemi në gjendje që të bashkohemi në një aleancë me ata që shtojnë ndikimin dhe pasuritë tona.

Si për shembull me vendet e Lindjes së Mesme. Për shkak se Bajden e kuptoi rëndësinë që kishte mohimi i aftësisë së Putinit për të financuar luftën e tij, ai duhej të gjente alternativa ndaj naftës ruse. Jo vetëm për të përmbushur nevojat e evropianëve, por edhe për të minimizuar krizën e rritjes së kostos së energjisë.
Përpjekja e administratës amerikane për ta detyruar Arabinë Saudite, i vetmi vend me një kapacitet të konsiderueshëm për të prodhuar naftë shtesë, që të eksportonte më shumë naftë ishte e pasuksesshme. Një sërë faktorësh mund t’i kenë nxitur sauditët të thonë “Jo”.

Por siç më tha kohët e fundit një zyrtar i lartë saudit: “Ju në Amerikë jeni shumë të shpejtë kur na kërkoni që të përgjigjemi shpejt për diçka që dëshironi, dhe nuk na përgjigjeni kur ju telefonojmë”.

Ai theksoi se në të kaluarën, sauditët janë përpjekur t’u përgjigjen kërkesave të SHBA-së, pasi e shihnin atë si “një mik të besueshëm”, kur rrezikohej siguria e tyre. Por gjërat ndryshuan kur u goditën vazhdimisht nga Huthit dhe dronët, raketat e ofruara nga Irani, dhe pasi panë hezitimin e SHBA-së për të ndërhyrë.

Ndërkaq, nga pikëpamja amerikane, ndikim kanë pasur faktorë të tjerë. Vrasja e gazetarit saudit Xhamal Kashoxhi; gatishmëria e Donald Trumpit për ta toleruar Riadin; shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut; dhe mënyra se si sauditët vazhduan luftën e tyre në Jemen, gjeneruan kritika dypartiake në SHBA, dhe çuan në vendimin e administratës Bajden për të “rikalibruar” marrëdhëniet e SHBA-së me Arabinë Saudite.

Por lufta e Putinit, ka bërë që Uashingtoni të ketë sërish nevojë për Riadin. Dhe realiteti është se Arabia Saudite është strategjikisht e rëndësishme në konkurrencën me Rusinë dhe Kinën. Nafta saudite është e nevojshme tani dhe për 2 dekadat e ardhshme, teksa bota po menaxhon kalimin nga lëndët djegëse fosile te burimet e rinovueshme.

Arabia Saudite është ndër ato shtete në Lindjen e Mesme, të cilët po përpiqen të ndërtojnë shoqëri moderne, të qëndrueshme, si dhe të përballen me një Iran që kërkon të përjetësojë konfliktet e rajonit, për t’i shfrytëzuar ato për vete. Mbështetja e Teheranit për Rusinë, nuk është aspak një rastësi.

Irani është një fuqi revizioniste, që synon të dominojë Lindjen e Mesme, duke i ofruar Moskës një rrugëdalje nga sanksionet. Por ajo që iranianët e quajnë “boshti i rezistencës”, është në të vërtetë një bosht i mjerimit. Eksportet kryesore të Iranit janë dronët, raketat, milicitë dhe shtetet e dështuara. (Libani, Siria, Jemeni dhe Iraku, janë dëshmi e asaj që i pret shtetet ku Irani ushtron ndikimin e tij).

Një Lindje e Mesme në konflikte të vazhdueshme, mund t’u shërbejë interesave ruse dhe atyre iraniane, por jo interesave tona. Fatmirësisht, një koalicion në rritje që përfshin sauditët, emiratet, egjiptianët, jordanezët, marokenët, bahrejnezët dhe izraelitët, po bashkëpunon për të kundërshtuar planet iraniane për rajonin.

Komanda Qendrore e Amerikës, ofron si një mekanizëm për të mbështetur nevojat e tyre të sigurisë, dhe një ombrellë nën të cilën ata mund të integrojnë aktivitetet e tyre të inteligjencës, kundërterrorit dhe paralajmërimit të hershëm, kibernetik dhe raketor dhe të mbrojtjes nga dronët – duke i bërë ata kolektivisht më të sigurt, sesa po të ishin secili më vete.

Sa më shumë të inkurajojmë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si ai që po ndërtojnë tani Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, aq më të forta do të jetë themelet për paqen rajonale.

A do të thotë kjo se duhet të heqim dorë nga shqetësimet tona për të drejtat e njeriut, dhe të largohemi nga vlerat tona?

Jo, kjo do të thotë që duhet të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë: të analizojmë cilat janë prioritetet tona, dhe të përpiqemi të balancojmë vlerat dhe interesat. Ne duhet të parandalojmë që rregullat e Putinit – në të cilat shtetet më të forta ua diktojnë fqinjëve të tyre më të dobët – të diktojnë të ardhmen tonë kolektive ndërkombëtare. Ne duhet të ndërtojmë një koalicion të gjerë shtetesh, që e ndajnë këtë qëllim, që pasqyron edhe vlerat tona, dhe jo vetëm interesat tona.

Shënim:Dennis Ross, një ish-ndihmës special i presidentit Barak Obama, aktualisht  bashkëpunëtor në Institutin e Uashingtonit.

Të ngjashme