Sport
Skenar i çmendur për sezonin e ardhshëm, Anglia mund të dërgojë 9 klube në Evropë
Demokracia
18:36 | 22 Prill 2022

Share:

Premier Liga mund të dërgojë nëntë skuadra në Evropë sezonin e ardhshëm, gati gjysmën e ekipeve të kampionatit.

Hapësirat në rregulloren e UEFA-s i japin mundësinë më shumë se gjysmës së skuadrave që do të shmangin rënien këtë sezon që të përfundojnë në kompeticionet kontinentale të mesjavës.

Aktualisht, Anglia dërgon direkt 7 skuadra në turnetë e UEFA-s:

4 të parat në Ligën e Kampioneve, 2 në Ligën e Evropës dhe 1 në Ligën e Konferencës (shkon fillimisht fituesi i Kupës së Ligës, por duke qenë se ai është Liverpuli që e ka prerë prej kohësh biletën në Champions dhe është edhe në finalen e Kupës FA me Chelsean, ky vend do t’i rikthehet renditjes së Premier Ligës).

VARET NGA DY KLUBE

Por nëse West Hami dhe Leicesteri, të dyja gjysmëfinaliste në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, triumfojnë këtë sezon në Evropë, atëherë lirohen dy vende për sa kohë asnjëra prej tyre nuk renditet në 7 vendet e para.

Nëse West Hami fiton Ligën e Evropës në finalen e Sevilla muajin e ardhshëm, londinezët do të kualifikoheshin për herë të parë në historinë e tyre në Champions, ndërsa Anglia do të dërgonte 5 skuadra në kompeticionin elitar sezonin e ardhshëm.

Por një triumf i Leicesterit në finalen e parë të Ligës së Konferencës në Tiranë do t’i dërgonte “Dhelprat” në Ligën e Europës, së bashku me skuadrat që do të renditen në vend të pestë dhe gjashtë në Premier Ligë.

Dhe nëse Wolvesi parakalon West Heain dhe renditet i shtati, atëherë do të prisnin biletën në Ligën e Konferencës. Nëse West Hami triumfon dhe renditet në vend të pestë ose gjashtë, atëherë Premier Liga do të dërgonte vetëm një skuadër në Ligën e Europës.

Por nëse ata do të triumfonin dhe renditeshin të shtatët, atëherë në kompeticionin më të ri nuk do të ishte asnjë klub anglez.

Një triumf i Leicesterit, por duke u renditur jashtë “top7” do të sillte 8 ekipe angleze në Evropë, përfshirë vendin e 7-të në Ligën e Konferencës. /Demokracia.com

Të ngjashme