Intervista
S’ka më pritje për rezonancë magnetike
Demokracia
15:03 | 03 Shtator 2023

Share:

Pacientët e shtrirë në QKUK nuk kanë më nevojë të presin për rezonancë magnetike. Lista e pritjes është ulur dukshëm, sidomos nga funksionalizimi i rezonancës në Onkologji në fillim të vitit, dhe i asaj në Pediatri para disa muajsh.

Përkundë ikjes së mjekëve, drejtoresha e Radiologjisë, Shkëndije Nuza, ka thënë se klinika që ajo drejton, nuk është prekur shumë nga ky trend. Ajo tha se një mjek u largua në sektorin privat një tjetër është pensionuar në fillim të këtij viti.

Ajo ka thënë për Ekonomia Online se aktualisht qëndrojnë mirë me infermierë dhe se punësimi i dhjetë të rinjve u ka lehtësuar shumë punën.

Nuza ka folur edhe për punën që bëhet në këtë klinikë, duke thënë se gjatë sezonit të verës, ka më pak kërkesa për rezonancë magnetike.

E pikërisht kjo gjë, ka bërë që menaxhmenti ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ulur numrin nga lista e pritjes.

“Në një periudhë gjashtë mujore ne e kemi pasur rezonancën magnetike në Onkologji jashtë funksionit për shkak të vërshimeve dhe ka pësuar defekt aparati dhe kemi funksionuar me vetëm një aparat, dhe për kundër kësaj, asnjë pacientë nga lista e pritjes nuk iu është shtyrë termini dhe funksionalizimi në fillimvit i rezonancës në Onkologji dhe funksionalizimi muajve të fundit i rezonancës në Pediatri, ka ndikuar shumë dhe sidomos është revitimi i listave dhe në përgjithësi çdo pacient që ka ekzistuar në listën e pritjes, thirret dhe vendoset për t’u kryer. Është rritur numri i pacientëve ditor. Përveç rasteve të paradites, gjithmonë është e dedikuar për pacientët spitalor dhe duke pasur parasysh që sezona e verës ka më pak raste, ne e kemi shfrytëzuar këtë rast për ta ulur numrin”, ka thënë Nuza, teksa shtoi se rezonancën në Pediatri po e shfrytëzojnë edhe për mosha të reja.

“Rezonanca në Pediatri, po ashtu bën pacientë të moshave të reja dhe jo vetëm fëmijë dhe në përgjithësi ka ardh tek ulja e listës së pritjes dhe jemi në fund të dhjetorit”, u shpreh ajo.

Nuza ka deklaruar se pacientët që janë të shtrirë në QKUK, nuk kanë nevojë për termine.

Ajo ka thënë për EO se renditja bëhet nga klinika përkatëse.

“Ne e bëjmë një orar të klinikave të cilat kanë kërkesa për ekzaminime me rezonancë magnetike dhe në kuadër të shërbimit është i domosdoshëm ekzaminimi me rezonancë magnetike dhe i caktojmë terminët ditor. Shembull e kemi Neurologjinë dhe Neurokirurgjinë që i kanë çdo ditë terminet e veta dhe i kryejnë pacientët e tyre. Pacientët spitalor nuk bëjnë termine në Klinikën e Radiologjisë. Renditjen e pacientëve apo ekzaminimin në baza ditore të pacientëve në klinikat përkatëse e bëjnë klinikat në bazë të diagnozës së pacientit”, u shpreh Nuza.

E nga punësimi i infermierëve të rinj në QKUK, Klinika e Radiologjisë ka arritur t’i marrë 10. Me këtë rast, Nuza ka thënë se me pensionimin e një mjeku dhe një largimi për në sektorin privat, aktualisht nuk ka pasur lëvizje të tilla.

“Me staf për momentin, një mjek është pensionuar në fillim të vitit dhe një mjek ka kaluar në sektor privat, ndërsa teknikë kohëve të fundit 10 teknikë i kemi marrë të rinj që na kanë lehtësuar jashtëzakonisht punën, për arsye se Radiologjia çdo ditë rritet me numër të shërbimeve, ndërsa kemi qenë në numër të paktë me staf teknik e që ne varemi shumë nga puna e tyre dhe tash jemi shumë më mirë në krahasim siç kemi qenë më herët. Nga Klinika e Radiologjisë nuk ka pas që kanë dalë jashtë shtetit”, ka thënë Nuza.

 

Të ngjashme