Lajme
S’i dëgjon kush siç s’e dëgjojnë kënd: Bislimi u kërkon gjermanëve që “të hiqen sa më parë” sanksionet evropiane
Demokracia
18:16 | 28 Shkurt 2024

Share:

Dy kryetarë shqiptarë – të zgjedhur me as 3% të votës lokale; legalë, po, legjitimë, jo – Kosovës i kanë kushtuar me sanksione evropiane qindra miliona euroshe dhe reputacion e imazh thuajse të rrënuar ndërkombëtarisht.

Dy kryetarët e tjerë – të Partisë Demokratike të Kosovës, parti së paku esëll në leximin e çështjeve të sigurisë dhe nevojës së bashkërendimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si hisedarë të sigurisë në veri – që moti ushtrojnë mandatin e tyre thjesht-teknik në lokacione tjera, në bazë të kërkesës amerikane dhe QUINT-it.

Sanksionet, të cilave u ishte gjetur një emërim i stërzbuzur “masa ndëshkuese”, për herë të parë rënduan mbi vendin teksa për herë të parë Kosova e kishte gjetur veten të kategorizuar në listën e problem-shkaktuesve.

Kryetarët nuk ishin kundërshtuar ligjërisht dhe teknikisht si të tillë nga QUINT-i – përkundrazi, ishin mbështetur – vetëm mënyra e instalimit të tyre me doemos në objektet komunale dhe me një aparaturë të tërë forcash speciale policore.

Qeveria, e cila e kishte kondensuar krejt moton e tyre në një zbatim thuajse mekanik – me zero konsideratë për sigurinë – të ligjit, kishte flakur tutje krejtësisht kërkesat amerikane, duke u shprehur paekuivok se “kjo nuk ka të bëjë me ShBA-në” dhe se Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ishte “naiv”.

Andaj edhe sanksionet.

Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministri i Kosovës, kishte njoftuar se kishte arritur një Marrëveshje në Bratisllavë me ndërmjetësin evropian Miroslav Lajçak, që, siç e proklamonte në publik, ishte korniza e veprimit përmes të cilës do të hiqeshin sanksionet ndaj Kosovës.

Njëra nga ato pika, siç supozonte Bislimi, ishte “përgjysmimi” i pranisë së njësive speciale policore “në dhe rreth” ndërtesave komunale; por, edhe me përgjysmim të pranisë, sanksionet qëndronin të plota, siç qëndrojnë të plota edhe sot.

Bislimi, sot e atë ditë, s’dihet se me kë e kishte bërë atë marrëveshje; ose nëse e ka shpjeguar drejt se çfarë marrëveshje kishte bërë ngase masat qëndron ende pezull në ajr.

Me kollajllëk dhe pa u gajluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehej se “masat janë të përkohshme” dhe do të hiqeshin fare shpejt, pa ua ndier efektin qytetarët e Kosovës. “Jemi në kontakt të përditshëm me BE-në”, thoshte Kurti, sikur paralajmëronte që dita-ditës ato do të hiqen.

Kohëve të fundit, ishte ambasadori gjerman Jorn Rohde i cili në një intervistë me Nacionalen na tha se për sa kohë “keni ende njërin duke qëndruar në komunë…masat (lexo: sanksionet) s’kanë të ngjarë të hiqen”.

Por, çka përbën shqetësim më të madh për Gjermaninë “që është donatori më i madh i Kosovës”, sipas Rohdes, është që “çdo herë e më shumë ndikojnë në ndihmën tonë bilaterale (të Gjermanisë me BE-në)”.

Kemi projektin për grumbullimin e mbeturinave, projektin për ujërat e zeza në Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë. Kemi projekte me KOSTT-in, sepse janë projekte që bashkëfinancohen me ndihmë bilaterale, dhe mjete financiare të BE-së. Nëse BE-ja nuk mund të disbursojë paratë i tërë projekti rrezikohet. Këto janë projekte me vlerë qindra milionë euro. Dua masat të hiqen sa më shpejtë të jetë e mundur, por duhet që Qeveria e Kosovës t’i përmbush kushtet për këtë”, tha ambasdori gjerman.

Ju keni parë panumër deklarime nga BE-ja dhe bilateralisht që s’pajtohemi me këto vlerësime (të Qeverisë) dhe thash që një kryetar është ende duke punuar në ndërtesë komunale dhe ai (Lulzim Hetemi) do të mund të punonte përkohësisht diku tjetër, sepse tash ai do të çvotohet, do të ketë referendum. Kosova duhet të ecë para, dhe për sa kohë kjo nuk ndodh, nuk shoh që masat do të hiqen”, tha ai.

Masat, siç kanë shpjeguar panumër herë BE-ja, mbetet për sa kohë Kosova nuk ndërmerr “hapat e mëtejmë shtensionues”; që praktikisht lexohet: për sa kohë nuk vazhdon qëndrimi i mëtejm tensionues i Lulzim Hetemit.

Hiç më larg se sot, Bislimi në një takim me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kërkoi të hiqen masat e BE-së.

Palët diskutuan mbi situatën në vend dhe rajon dhe zhvillimet e fundit politike. Një prej temave të adresuara ishte edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ato vijojnë të jenë të padrejta dhe se duhet të hiqen sa më parë”, ka thënë Bislimi.

Të ngjashme