Lajme
“Shumë shpejt KQZ…” | Si e nxiti presidentja Osmani publikisht KQZ-në që ta shkelë Kushtetutën?
Demokracia
09:12 | 09 Mars 2024

Share:

“Besoj që shumë shpejt KQZ do të mblidhet për ta miratuar edhe atë që quhet plan operacional, që parasheh datat e të gjitha procedurave tjera, përfshirë edhe kur do të mbahet largimi i kryetarëve”.

Kjo është deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e dhënë për media më 23 shkurt 2024, me anë të së cilës ajo po ndërhynte drejtpërdrejtë në punën e një institucioni të pavarur kushtetues.

Përveç që Osmani po ndërhynte në pavarësinë e KQZ-së, duke treguar se çfarë duhet të bëjë pasi të verifikojë nënshkrimet e peticioneve në komunat e veriut, ajo po nxiste publikisht KQZ-në që të bënte edhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kjo nxitje publike, e cila në prapavijë mësohet se është shoqëruar edhe me presion mbi kreun e KQZ-së është në kundërshtim me kompetencat kushtetuese të KQZ-së.

Sipas nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, KQZ nuk ka për kompetencë të caktojë datën e ndonjë procesi zgjedhor, por vetëm ta “përgatit, mbikëqyr, drejtojë dhe verifikojë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”.

Pavarësisht se Kushtetuta është shumë e qartë në kompetencat që ia përcakton KQZ-së, ky institucion ka marrë vendim më 8 mars 2024 që të caktojë datën 21 prill 2024 për të votuar qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës nëse janë për apo kundër largimit të kryetarëve.

Si kurrë më parë në historinë e institucioneve të Republikës së Kosovës, KQZ-ja ka marrë vendim që vetë të shpallë datën e zgjedhjeve dhe vetë do t’i organizojë ato.

Për këtë vendim kanë votuar dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi e Sami Kurteshi, por edhe përfaqësuesit e dy partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së. I vetmi subjekt opozitar që ka kundërshtuar këtë vendim ka qenë PDK-ja, dy përfaqësuesit e së cilës kanë abstenuar.

https://demokracia.com/kreu-i-kqz-se-ne-sherbim-te-osmanit-dhe-kurtit-kqz-vete-e-cakton-daten-dhe-vete-do-ti-organizoje-zgjedhjet-per-shkarkimin-e-kryetareve-ne-komunat-veriore/

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet Lokale, i vetmi autoritet në Republikën e Kosovës që mund të caktojë një datë për votim është Presidenti i Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti ka për detyrë të shpallë datën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, kurse sipas nenit 4 të Ligjit për Zgjedhje Lokale është gjithashtu detyrë e Presidentit që të caktojë datën e zgjedhjeve lokale.

Po më 23 shkurt 2024, Osmani nuk ka arsyetuar mosveprimin e saj, por vetëm ka treguar se ajo do të shpallë datë për zgjedhje të reja për kryetar të komunës, nëse mbi 50% e votuesve votojnë për shkarkimin e kryetarëve.

“Menjëherë pasi të konfirmohen rezultatet e largimit të kryetarëve të cilat kërkojnë mbi 50 për qind e të gjithë trupit votues të votojnë pro dhe nëse ndodh një gjë e tillë, brenda 30 deri 45 ditë është afat i cili unë si presidente caktoj zgjedhje të reja lokale”, ka thënë Osmani.

Osmani po vazhdon të mos sqarojë qytetarët e Republikës së Kosovës se përse ka vendosur që të mos shpallë datën e zgjedhjeve, pas verifikimit të nënshkrimeve nga KQZ-ja?

Përgjigjja e presidentes Osmani mund të rrënojë kushtetutshmërinë e rrugës së ndërtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që me Udhëzim Administrativ të largojë katër kryetarët shqiptarë të zgjedhur në proces zgjedhor plotësisht ligjor. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/cka-po-fsheh-presidentja-osmani-refuzon-te-shpalle-daten-dhe-te-mos-tregoje-a-eshte-sipas-kushtetutes-rruga-e-hapur-per-shkarkimin-e-kryetareve-shqiptare-te-veriut/

Të ngjashme