Lajme
Shumë qortime e pak “përkthime” të targave ilegale në RKS
Demokracia
18:43 | 18 Nëntor 2022
Ilustrim

Share:

Më 1 nëntor ka hyrë në fuqi masa e qortimit, e vendosur nga qeveria lidhur me targat ilegale që qarkullojnë në territorin e Kosovës.

Autoritetet po vazhdojnë zbatimin e “qortimit”. Në një përgjigje të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Klankosova.tv, thuhet se 17 ditë pas vendimit janë shqiptuar  mbi 1,500 qortime.

“Sa i përket numrit të qortimeve deri më tani kemi 1,592, ku kryesisht janë dhënë në kufi dhe në veri”, thonë nga kjo ministri.

Ndonëse ka kohë që serbët janë ftuar t’i regjistrojnë veturat e tyre në RKS, pak prej tyre e kanë bërë këtë.

“Nga fillimi i procesit të regjistrimit të veturave, deri më sot kemi 26 vetura të cilat kanë konvertuar automjetet nga targat ilegale në RKS”, thuhet në përgjigje.

Ministria tregon se regjistrimi i fundit ishte këtë javë në Mitrovicë.

Sidoqoftë, pas takimit të fundit në Bruksel, situata me targat mund të ndryshojë, sidomos pas konfirmimit nga Brukseli se kanë dërguar ftesë për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Derisa të martën, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, tha se duhet të gjendet një zgjidhje sa më parë për shkak të mospajtimeve mbi këtë çështje.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, pas takimit pohoi se është diskutuar çështja për të dalë nga kriza e fundit në veri, por që nuk ka pasur dakordim.

Kujtojmë, se vendimi i qeverisë për qortimet do të jetë i disponueshëm për tri javë. Faza e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Thënë kjo, nga 21 prilli i 2023, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Të ngjashme