Lajme
Shteti ia paguan rrymën serbëve të veriut edhe këtë vit, plani i ZRRE-së e parasheh
Demokracia
18:06 | 12 Tetor 2023

Share:

Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, sipas institucioneve të Kosovës, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Institucionet kosovare thonë se nuk do të paguajnë më për rrymën e shpenzuar në veri. Por, planet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) tregojnë se furnizimi i veriut për këtë vit do të bëhet sërish nga institucionet e Kosovës, madje pa faturim fare, shkruan Demokracia.com.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e vitit të kaluar.

Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektroseverit mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Por, kushti nuk është përmbushur dhe ZRRE nuk ia ka tërhequr licencën kompanisë serbe.

Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrik, i hartuar nga ZRRE, paraqet planin vjetor të shpenzimit të energjisë elektrike në raport me energjinë elektrike në dispozicion. Bilanci vjetor bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë elektrike për vitin 2023, i cili është parashikuar të furnizohet nga gjenerimi vendor dhe importi i energjisë elektrike.

Në këtë dokument që e ka parë Demokracia.com, gjithsej kërkesa pёr energji elektrike në Kosovë për vitin 2023, duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 7,021.7 GWh. Në vitin 2022, plani i ZRRE-së për kërkesën e gjithmbarshme ka qenë 7,144.6 GWh.

Në kërkesën e konsumit për këtë vit është planifikuar të marrë pjesë:

Kërkesa neto në Rrjetin e Shpërndarjes (amvisëria, ndriçimi publik, bizneset e vogla etj., të kyçura në nivelin e tensionit 35kV, 10kV dhe 0.4kV) është paraparë të jetë = 4,906.4 GWh.

Humbjet në shpërndarje në vlerën = 1,002.2 GWh,

Mihjet = 111.9 GWh,

Trepça = 21.2 GWh,

Sharr Cem = 67.9 GWh,

NEW.CO. FERRONIKELI = 255.4 GWh,

Shpenzimet e gjenerimit nga transmetimi 130.5 GWh (TC A =105.9 GWh, TC B= 24.6 GWh),

Shpenzime të tjera 14.9 GWh.

Humbjet e sistemit (Konsumi i Veriut të Kosovës) = 378.0GWh.

Humbjet në transmetim në sasi prej = 133 GWh.

Pra, siç shihet nga plani i ZRRE, edhe në këtë vit është futur konsumi i veriut, i cili është vendosur si humbje e sistemit dhe i njëjti do të mbulohet vetëm nga importi që do t’i kushtojë disa miliona euro KOSTT-it. Nëse ky institucion nuk i ka paratë, atëherë mjetet do të ndahen përsëri nga Qeveria e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Siç dihet, konsumi i veriut të Kosovës është energjia që shpenzohet në katër komunat veriore të Kosovës. Kjo energji pritet të furnizohet nga KOSTT me buxhet jashtë tarifor.

Bazuar në planin e vitit 2022, konsumi për veriun ka qenë i planifikuar = 367,1 GWh. Pra, siç shihet për këtë vit është më i lartë.

Humbjet totale të energjisë elektrike ndahen në: Humbjet në rrjetin e transmetimit dhe humbjet në rrjetin e shpërndarjes (distribucionit).

Humbjet i janë rritur edhe KOSTT-it.

 

Plani i prodhimit/plani i prodhimit të energjisë elektrike në termocentrale

Prodhimi vjetor i energjisë elektrike në TC planifikohet deri në vlerën e shfrytëzimit optimal të kapaciteteve prodhuese.

Energjia elektrike e dhënë në prag të transmetimit nga TC Kosova A dhe TC Kosova B planifikohet të jetë 5,540.1 GWh, ku:

TC Kosova A = 2,550.9 GWh, në prag të transmetimit;

TC Kosova B = 2,989.2 GWh, në prag të transmetimit;

1.3.2 Plani i prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet dhe burimet tjera të ripërtёritshme të energjisë elektrike (BRE);

Prodhimi vjetor i energjisë elektrike nga HC Ujmani dhe HC-Kaskada e Lumbardhit (KELKOS) (HC Lumbardhi 1, HC Lumbardhi 2, HC EGU Belaja dhe HC EGU Deçani), nga Parku i erës (Air-Energy) KITKA dhe SOWI KOSOVA (Selaci), të cilat janë të kyçura në rrjetin e transmetimit planifikohet:

HC Ujmani = 94 GWh

HC-Kaskada e Lumbardhit = 97.2 GWh

Parku i erës Kitka=92.9 GWh

Parku i erës Sowi Kosova (Selaci)=244.6 GWh

Prodhimi vjetor i energjisë elektrike nga hidrocentralet, burimet e energjisë nga era dhe nga panelet diellore, të kyçura në sistemin e shpërndarjes planifikohet të jetë 223 GWh.

Prodhimi i energjisë elektrike, i cili hyn në rrjetin e transmetimit të prodhuar nga TC Kosova A, TC Kosova B, HC Ujmani, HC-Kaskada e Lumbardhit, Parku i erës Kitka dhe Sowi Kosova (Selaci) për vitin 2023 është planifikuar të jetë 6,068.9 GWh.

Ndërsa, prodhimi nacional, duke përfshirë edhe HC, gjeneratorët me erë dhe me panele diellore tё kyçura nё shpёrndarje, planifikohet të jetë 6,291.9 GWh.

Bilanci vjetor i energjisë elektrike përmban të dhëna dhe informata nga të gjitha palët relevante të përfshira në tregun e energjisë elektrike dhe do të aprovohet nga Bordi i ZRRE-së, pas përfundimit të konsultimit publik me të gjitha palët e interesuara. ZRRE do të pranojë komentet e palëve deri më 16 dhjetor 2022.

Rizvanolli: Elektroseverit i është dërguar kërkesa e fundit për nënshkrim, presim të ndodh brenda ditësh

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur sot për moszbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, për të cilin Kosova e Serbia u pajtuan në qershor të vitit të kaluar.

Rizvanolli në një adresim për gazetarët pas mbledhjes së Qeverisë, tha se ka pasur sabotim dhe zvarritje nga ana e Serbisë për zbatimin e këtij udhërrëfyesi.

“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, ne kemi thënë me atë rast që pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës do të jenë ato deri në zbatimin e kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-i që nga ajo kohë, por nuk kemi ndarë mjete shtesë si Qeveri”, tha Rizvanolli.

Ministrja theksoi se si Qeveri e kanë bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdojë.

“Sigurisht që ne si institucione dhe të gjithë operatorët, qoftë operatori i sistemit të transmisionit dhe tregut, KOSTT-i, qoftë KEDS-i si operator i sistemit, Qeveria, ZRRE-ja, i kemi kryer detyrat tona në afatet e duhura, sipas kësaj marrëveshjeje. Nga pala tjetër kemi pasur sabotim e zvarritje dhe me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet, mirëpo pa bërë kompromise shtesë ose ndryshim të kësaj marrëveshje”, u shpreh Rizvanolli, përcjell Demokracia.com.

Ajo shtoi se e kanë bërë të qartë se versioni i fundit i kontratës, i cili i është dërguar Elektroseverit disa muaj më parë është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet të nënshkruhet nga ata.

“Dje operatori i distribucionit KEDS i ka dërguar kërkesën e fundit për nënshkrim Elektoseverit dhe presim që kjo të ndodh brenda ditësh. Nëse jo, atëherë që sigurisht do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet tjera”, tha ministrja Rizvanolli.

Sipas këtij udhërrëfyesi parashihet që të fillojë faturimi i energjisë elektrike në komunat në veri të vendit.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga udhërrëfyesi që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për Energji, që kërcënonte edhe ta dështonte plotësisht marrëveshjen. /Demokracia.com/

Të ngjashme