Lajme
Shtëpi, banesa e toka: Pse diaspora investon kaq shumë në patundshmëri?
Demokracia
16:50 | 09 Shtator 2023

Share:

Sot në një intervistë për Ekonomia Online, Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) ka folur në lidhje me investimet dhe remitencat nga diaspora. Në intervistën e tij, Rafuna përmendi një fakt goxha interesant. Sipas tij, shumica dërrmuese e investimeve të diasporës në Kosovë shkon në sektorin e patundshmërive. Pse diaspora investon kaq shumë në shtëpi, banesa e toka?

Rafuna ishte jashtëzakonisht preciz në lidhje me përqindjen e parave të shpenzuara nga ana e diasporës në sektorin e patundshmërive. Kryetari i OEK-ut theksoi se 80 për qind e investimeve nga diaspora fokusohen në toka, shtëpi e banesa.

“Ende jemi duke vuajtur për një plan ose një strategji të mirë të orientimit të remitancave të diasporës. Në qoftë se i sheh raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, e sheh që mundemi me u shpreh lirisht që mbi 80% të investimeve të diasporës shkojnë në patundshmëri, në banesa, shpija, toka, kështu që edhe këtu po them sikurse te prodhimi, është eksporti.” – tha ai.

Por pse blejnë kaq shumë toka, shtëpi e banesa mërgimtarët?

Në intervistë, Rafuna e dha një përgjigje, ndonëse indirekte. Rafuna foli për mungesën e strategjisë për investimet nga diaspora, teksa sugjeroi hartimin e një strategjie që ndihmon diasporën e Kosovës të orientojë remitencat dhe investimet në sektorë që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

“Edhe këtu duhet sa më urgjent me u hartu një strategji që e ndihmon diasporën tonë se ku me i riorientu remitancat. Nevojitet një strategji e mirë që i ndihmon diasporës tonë që me invenstu në projekte të mira të zhvillimit ekonomik të vendit por edhe në kthim të mirë për diasporën tonë. Propozimet duhet të vijnë prej institucioneve të vendit, por ka lloj-lloj modeli, lloj-lloj mundësie, vetëm është çështja tani se ku qeveria jonë e sheh që është më e dobishme.” – shtoi Rafuna.

Me shifrën e dhënë nga Rafuna, pajtohet edhe ekonomisti Lulzim Beqiri. Në një prononcim për Nacionalen, Beqiri vlerësoi se vetëm 6 për qind e investimeve nga diaspora drejtohen në sektorin e tregtisë.

“Sipas hulumtimeve që kam bërë, rreth 80 për qind e të hyrave nga diaspora përdoren për blerje të patundshmërive, konsum, ushqim, veshje, material shpenzues, rreth 6 për qind e tyre investohen në tregti, dhe kjo vije si rezultat i mungesës së alternativave për investime, shteti nuk ofron alternativë për investime, madje shpeshherë akuzojnë gjyqësorin për mos efikasitet duke i kontribuar pasigurisë së investimeve nga diaspora.” – deklaroi Beqiri për Nacionalen.

Tutje, Beqiri theksoi nevojën e hartimit të një politike zhvillimore në lidhje me diasporën.

“Shteti duhet hartuar politika zhvillimore me fokus të veçantë remitencat nga diaspora, një mundësi e mirë do ishte investimi në fondin sovran, pastaj në kompanitë publike në prodhim, por ende nuk ka një strategji të duhur zhvillimore serioze për investimeve nga diaspora.” – përfundoi ai.

Në lidhje me investimet e huaja direkte, ditë më parë reagoi edhe analisti tjetër, Shenoll Muharremi, i cili i cilësoi si manipulim shifrat e ofruara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Muharremi shkroi se shumica e investimeve janë në sektorin e patundshmërive, të cilat blihen kryesisht nga diaspora.

“Shumica absolute e investimeve jane në patundshmëri blerjet e banesave nga dispora (68% vitin e fundit). Shiqoni teksin me kujdes, nuk përmendet fare patundshmëria që është aktiviteti kryesor, por krijohet pērshtypja që janë investuar ne prodhim e industri të gjjtha. Nga €374m jan-qer 2023 ndoshta €230m janë vetëm në patundshmëri – që nuk përmendet fare! Në bazë të të dhënave qeveria nuk ka asnjë meritë për investim të huaja se ato bëhen nga diaspora kryesisht në banesa. Qeveria nuk di që ka sjellur edhe 2-3 projekte të vetme.” – shkroi.

Të ngjashme