Sport
Shqipëria sot me sytë nga Briken Calja në Tokio: Do të luftoj me gjak!
Demokracia
11:38 | 28 Korrik 2021

Share:

Sot do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Pas katër eliminimeve të njëpasnjëshme që në raundin e parë, në gjimnastikë artistike, xhudo, qitje dhe not, radhën për të garuar në olimpiadë e ka shtanga që është edhe sporti më i suksesshëm i vendit. Në pedanë do të ngjitet sportisti me pritshmëritë më të larta të ekipit kuqezi Briken Calja.

Të gjithë shqiptarët i kanë sytë te shtangsiti shtërmenas dhe shpresojnë te zona e medaljeve, që do të ishte një rezultat historik për Shqipërinë. Briken Calja do të konkurrojë në kategorinë peshave 73 kg, ndërsa gara e tij starton në orën 12:50 me të Shqipërisë. Pas një karriere fantastike, me tituj kampionë në botërore apo europiane, 31-vjeçari tani kërkon të vendosë qershinë mbi tortë me një tjetër rezultat të rëndësishëm edhe në Lojërat Olimpike.

Peshëngritësi duket më i karikuar se kurrë dhe këtë e konfirmon edhe deklarata e tij një ditë para garës. Në një reagim në rrjetet sociale, kampioni kuqezi i shtangës garanton se do të derdhë djersë dhe gjak për ta nderuar flamurin kombëtar. Ja publikimi i plotë i bërë një ditë më parë nga Briken Calja në faqen e tij në rrjetet sociale.

“Erdhi dita që kam shumë vite që e pres! Nesër (sot) në orën 12:45 ju ftoj të gjithëve të më ndiqni në Olimpiadën e Tokios, ku do të garoj në peshën deri në 73 kg. Jam jashtëzakonisht i qartë dhe i palëkundur në mendje se çfarë kërkoj nga kjo sfidë. Ndiej se pas vetes sime kam miliona zemra kuqezi që më përkrahin dhe kjo do të jetë forca ime më e madhe dhe për të nderuar vlerat e Shqipërisë në botë jam gati të derdh gjak dhe djersë.

Kam marrë qindra mesazhe nga shqiptarë anembanë botës këto ditë dhe akoma më shumë më shtohet besimi dhe forca drejt një suksesi në këtë garë. Shihemi nesër (sot) dhe me besimin në Zot me vete shpresojmë që të kapim një rezultat historik!”, shkruan Calja në postimin e tij të shoqëruar më një video motivuese, ku merr urime nga familjarët dhe miqtë e tij.

Të ngjashme