Lajme
Shpërblehen në tender mbi 100 mijë euro aktivistët e VV’së në ministrinë e Liburn Aliut
Demokracia
20:10 | 06 Mars 2024

Share:

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë (MMPHI), e udhëhequr nga Liburn Aliu , përmes procedurave të tenderimit ka rekrutuar dhjetë ekspertë për programin e banimit social. Vlera e tërësishme e kësaj kontrate shkon mbi 100 mijë euro. Në mesin e ekspertëve të përzgjedhur nga ministria e Liburn Aliut, që do ta paguhen afër 12 mijë Euro, figurojnë edhe aktivistë të njohur të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tashmë kur Qeveria Kurti ka hyrë në vitin e saj të fundit qeverisës, i është rikthyer një premtimi të tyre elektoral, atij për “Banimin e Përballueshëm” për 4 mijë familje dhe çifte te reja.Për këtë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka angazhuar dhjetë ekspertë për programin e banimit të përballueshëm në Kosovë.

Ministria ka paraparë që për të gjithë të kontraktuarit të shpenzoj deri në 105 mijë e 600 euro.

Në hulumtimin e Periskopit, ndër ata që kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Liburn Aliut, ka disa aktivistë dhe bashkë partiakë të Aliut nga Lëvizja Vetëvendosje.

Periskopi ka arritur të sigurojë dosjen e këtij tenderi, ku ka gjetur se nga dhjetë ekspertët që u shpallën fitues, tre prej tyre janë publikisht aktivistë dhe ish-zyrtarë të VV-së.

Njëri prej tyre është Atdhe Arifi. Këtij, të cilit i është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar prej 11,880 Euro.

Në njoftimin Ministrisë, thuhet se tenderi i Arifit është vlerësuar me kujdes.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin ekonomikisht më të favorshëm si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës për aktivitetin e prokurimit.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kush është Atdhe Arifi? Emri i tij u bë shumë i përfolur në media në vitin 2016 – 2017, kur si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte arrestuar nën akuzat për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit.

Arifi fillimisht, u dënua nga Gjykata me 6 vjet burg, për t’u liruar më vonë nga të gjitha akuzat.

Emri tjetër që u kontraktua nga Ministra e Mjedisit është Ibrahim Ajupi.

Për Ajupin, nuk nevojitet të kërkohet shumë, ngase profili i tij në Facebook, i tregon të gjitha. Shpërndarje të postimeve të Liburn Aliut, Albin Kurtit e sllogane të Lëvizjes Vetëvendosje e mbulojnë kopertinën e Facebook’ut të Ajupit.

Si tenderues i suksesshëm për Ministrinë e Liburn Aliut, Ibrahim Ajupin, do të paguhet hiç më pak se 11,880 Euro.

Mes të tjerëve që nënshkruan kontratë me Ministrinë e Liburn Aliut të Lëvizjes Vetëvendosje është edhe Abdyl Gashi nga Novobërdë, i cili më herët ka qenë kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë.

I njëjti nuk u shpërblye sa dy të parët, por me një shumë prej 8,400 euro.

Për Gashin ka raportuar dhe i njëjti është kontaktuar edhe nga portali kallxo.com.

“Jo unë s’kam pas kurrfarë favorizimi, e kam pa që është i hapur, kam apliku sipas procedurave. Nuk do të thotë që tash, kam qenë ish-kryetar i Vetëvendosjes e mos me pas të drejtë me apliku në asnjë konkurs ku unë e gjej veten dhe i plotësoj kriteret për me qenë në atë pozitë apo vend të punës”, ka deklaruar Gashi për Kallxo.com.

Ai i ka thënë portalit kallxo.com se askush nga partia (LVV) nuk i ka sugjeruar të tenderoj për këtë procedurë të prokurimit.

“Jo, jo, prej kërkujna, prej askujt. Po jam anëtar i Vetëvendosjes. Anëtar i thjeshtë. Unë vetëm kam apliku si mundësi e imja që me kontribu në atë projekt të cilin e kam pa dhe kam mëndu që mundem me kontribu”, është shprehur Gashi.

Qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit sipas Dosjes së Tenderit është që Qeveria të reflektojë se çfarë reformash nevojiten në sektorin e banimit dhe përfshirjen e qytetarëve barabartë e po ashtu vendosjen e politikave të qëndrueshme në fushën e banimit.

Kontrata është paraparë të jetë valide për një vit, ndërsa pagesa është e ndarë në lote.

E ardhur në pushtet me slogane dhe premtime për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit për Lëvizjen Vetëvendosje, prej kohës kur mori në duar pushtetin, vazhdimisht është raportuar për shkelje, nepotizëm e skandale nga më të ndryshmet.

Sidomos, tash kur është viti i fundit i mandatit të Qeverisë, rastet e tilla janë shpeshtuar.

Të ngjashme