Lajme
Shifër rekord – mbi 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë këtë vit
Demokracia
11:13 | 26 Dhjetor 2023

Share:

Me Krishtlindjen kaloi edhe numri i 10 milionë turistëve të huaj në Shqipëri.

Kështu shkruan kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili e ka ndarë lajmin në median e tij sociale Facebook.

Për Ramën, kjo e vitit 2023, ishte një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më pare.

Vetëm disa ditë më parë, Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Evropë e rendit Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza” në një ndër pesë aeroportet që kanë regjistruar rritjen më të lartë të trafikut të pasagjerëve.

Kjo, krahasuar periudhën para pandemisë, referuar tetorit të vitit 2019, kur fluturimet nuk i njihnin ende kufizimet.

Aeroporti duket se ka shënuar një rritje prej 134 për qind të trafikut të pasagjerëve, deri në tetor të këtij viti. Deri në javën e parë të dhjetorit, Autoriteti i Aviacionit Civil raporton se janë regjistruar mbi 6 milionë e 730 mijë pasagjerë.

Ndërkohë, në raport theksohet se performancat më të mira dhe shifrat më të larta vijnë nga aeroportet e tregjeve në zhvillim të aviacionit si dhe nga stimulimi i transportit ajror me kosto të ulët ku bën pjesë tashmë edhe Shqipëria.

Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

Vetëm gjatë nëntorit, Shqipëria ka parë të hyjnë në territor 547 mijë turistë, duke reflektuar kështu se nuk bëhet fjalë tashmë vetëm për turizëm veror, por gjatë gjithë rrjedhës së vitit.

Vetëm në tetor e kanë vizituar Shqipërinë 1 milion e 256 mijë e 554 persona dhe prej tyre, 691 mijë e 680 janë shtetas të huaj.

Kjo shënon edhe një rritje të jashtëzakonshme (thuajse pranë dyfishimit), me 89.4% më shumë turistë, nëse krahasohet me periudhën e tetorit 2022, sa i takon shtetasve të huaj.

Rritje gjithashtu ka pasur edhe sa i takon shtetasve shqiptarë, të cilët kanë hyrë në territor, duke shënuar 564 mijë dhe duke rritur kësisoj edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Ajo çfarë shihet më së shumti me interes gjithsesi, është se në terma vjetorë, ka pasur 32.3% më shumë vizitorë të huaj në vend.

Nëse përllogariten edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë në këto muaj, atëherë lëvizjet shkojnë në 14.655 milionë.

Për t’u theksuar mbetet fakti se shumica e këtyre vizitorëve të huaj vijnë nga Evropa (8 milionë e 623 mijë) dhe mbi të gjitha nga Evropa jugore (6 milionë e 790 mijë).

Por interes të lartë për të vizituar Shqipërinë ka pasur edhe nga Evropa Perëndimore (697 mijë), ajo Lindore (604 mijë), apo veriore (340 mijë).

Pas nuk mbeten as turistët amerikanë, të cilët si rrallëherë më parë, kanë ardhur në masë 217 mijë brenda 10 muajve të parë të vitit.

Meritë për këtë ka pasur edhe puna që është bërë me aeroportin e Rinasit, i cili me shtimin e kompanive dhe linjave ajrore – mbi të gjitha atyre low cost – kanë zgjuar interesin e vizitorëve të huaj, duke ofruar linja direkte dhe çmime të përballueshme, të cilat kanë qenë joshëse për tregun.

Të ngjashme