OpEd
Shënimi i Ditës Kombëtare të Ukrainës dhe 18-mujorit të sulmit në shkallë të plotë nga Rusia
Demokracia
08:20 | 26 Gusht 2023

Share:

Shkruan Jeffrey Hovenier

Shpresoj që sot keni rastin të kaloni pranë Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.  Nëse po, do të shihni një parullë të madhe të ekspozuar në vend të dukshëm. Në të thjesht shkruan: “Të bashkuar me Ukrainën”.

Kjo sepse pikërisht 32 vjet më parë, Ukraina rivendosi pavarësinë e saj gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Bashkësia ndërkombëtare nxitoi për ta njohur dhe mirëpritur Ukrainën në komunitetin në rritje të demokracive, duke parë që vendi premtonte mundësi për një botë të ardhshme në paqe.

Për fat të keq, Kremlini vazhdimisht ka penguar përpjekjet për të mbajtur paqen në rajon, duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të Ukrainës, që çuan në pushtimin dhe okupimin e Krimesë dhe Donbasit në vitin 2014 dhe që kulmuan me luftën e gjithmbarshme dhe brutale kundër Ukrainës që filloi në shkurt të vitit 2022.

Përderisa e urojmë Ukrainën për këtë ditë historike, njëkohësisht e theksojmë përkrahjen tonë të palëkundur ndaj saj për të mbrojtur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Muajin e kaluar, presidenti Joe Biden tha: “Përkushtimi ynë ndaj Ukrainës nuk do të zbehet. Ne jemi për liri sot, do të jemi për liri nesër dhe për aq kohë sa duhet”.  Thënë thjesht: Pushtimi brutal dhe në shkallë të plotë i Ukrainës nga presidenti Putin është veprim që kërcënon paqen dhe sigurinë jo vetëm të një vendi, por të tërë Evropës dhe më gjerë.

Gjatë dy dekadave të kaluara, Rusia i ka pushtuar dy vende fqinje, ka ndërhyrë në zgjedhje të shumta në vendet e tjera, ka përdorur armë kimike për të kryer atentate në tokë të huaj, ka përdorur furnizimin me gaz si vegël politike dhe ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të kontrollit të armëve.

Hiç më larg se muajin e shkuar, Rusia njëanshëm u tërhoq nga Nisma për Drithëra e Detit të Zi, që mundësoi eksportin në tregjet globale të përafërsisht 33 milionë tonëve me drithëra.  Më shumë se gjysma e asaj sasie të drithërave dhe dy të tretat e grurit të eksportuar ishin dërguar në vendet në zhvillim.

Disa ditë më vonë, çmimi global i drithërave u ngrit për 17 për qind, kurse Rusia njoftoi për eksporte rekorde të drithërave. Kremlini e manipuloi tregun për të nxjerrë çmim të lartë për vete në dëm të më të pambrojturve të botës e njëkohësisht i shtoi sulmet ndaj porteve dhe drithërave të Ukrainës.

Populli i Kosovës ka treguar solidaritet dhe partneritet të jashtëzakonshëm në mbështetje të Ukrainës. E kuptojmë sa i rëndësishëm është kontributi juaj për këtë përpjekje të përbashkët globale për të kundërshtuar fuqishëm agresionin, për të mbështetur demokracinë dhe për t’iu kundërvënë përpjekjet e Putinit për të rrëzuar rendin botëror përderisa synojmë të arrijmë një Evropë “të plotë, të lirë dhe në paqe”.

Solidariteti i Kosovës është i rëndësishëm dhe ka pasur ndikim. E kam thënë edhe më parë: çështjet për çka dhe me kë qëndron Kosova kanë rëndësi. Populli i Kosovës është pjesë përbërëse e përpjekjes globale për të kundërshtuar sfidën brutale të Putinit ndaj një vendi të pavarur dhe sovran. Përderisa së bashku e shënojmë Ditën Kombëtare të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe partnerët tanë vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar me Ukrainën sot dhe çdo ditë tjetër në përkrahjen tonë për vlerat demokratike dhe sigurinë evropiane.

(Autori është ambasador i ShBA-së në Kosovë)

Të ngjashme