Lajme
SHBA-ja mund të vendosë sanksione ndaj Putinit personalisht, nëse hyn në Ukrainë
Demokracia
18:10 | 26 Janar 2022

Share:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se do të vendosin sanksione personale ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën.

Ai deklaroi se do të kishte “pasoja të mëdha” për botën nëse Rusia do të bënte një lëvizje ndaj kombit ukrainas.

Komentet e tij erdhën pasi udhëheqës të tjerë perëndimorë përsëritën paralajmërimet se Rusia do të paguante një çmim të rëndë nëse do të pushtonte Ukrainën.

Rusia ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “përshkallëzimin e tensioneve” mbi këtë çështje dhe mohon planifikimin për të hyrë në Ukrainë.

Megjithatë, Moska ka vendosur rreth 100,000 ushtarë pranë kufirit.

Kremlini ka thënë se e sheh aleancën ushtarake perëndimore NATO si një kërcënim sigurie dhe po kërkon garanci ligjore, që nuk do të shtojë më numrin e anëtarëve në lindje, duke përfshirë Ukrainën fqinje. Por, SHBA-ja ka thënë se çështja është agresioni rus, jo zgjerimi i NATO-s.

Frika e pushtimit ka bërë që ambasadat perëndimore në Kiev të tërheqin një pjesë të personelit.

Diplomatët nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca u mblodhën në Paris, të mërkurën, për bisedime rreth tensioneve të vazhdueshme.

Të ngjashme