Lajme
ShBA i kërkon Kurtit ta themelojë Asociacionin që vetë e ka pranuar në Ohër
Demokracia
22:43 | 02 Shtator 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet që të takohen më 14 shtator në Bruskel, kjo pas ftesës së kryediplomatit evropian, Josep Borell. Edhe pse agjenda e takimit nuk është bërë e ditur ende, pala serbe tashmë e disa herë po e thekson Asociacionin si parakusht për zbatimin e marrëveshjes.

Ndonëse, Qeveria e Kosovës e mohon se Asocacioni apo siç e quanin në opozitë “Zajednica”, të jetë parakusht për zbatimin e marrëveshjes, edhe Shtetet e Bashkuara e kanë potencuar se marrëveshja, nis me formimin e Asociacionit, shkruan Demokracia.com.

SHBA i ka kërkuar Kurtit që ta themelojë Asociacionin të cilin vetë e ka pranuar në Ohër.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është vendimtar dhe se serbët duhet ta dinë të ardhmen e tyre. Për këtë, ai thotë se e mbështesin atë.

“Mendoj se komuniteti serb në Kosovë duhet të dijë se si do të jetë jeta dhe e ardhmja e tyre dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm Asociacionin e Komunave Serbe – kjo është vendimtare”, tha Hill në Dnevnik të Nova.rs.

Hill nuk u pajtua me deklaratën se shqiptarët në Kosovë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka nëse SHBA-ja vërtet dëshiron diçka dhe se për këtë mjafton një telefonatë kur u pyet në kontekstin e themelimit të Asociacionit.

“E kuptoj që ka njerëz që besojnë në këtë, por nuk jam dakord me këtë”, tha ambasadori.

Ai nga ana tjetër thekson se Kosova dëshiron të jetë pjesë e strukturave euroatlantike.

“Nga perspektiva e Kosovës, kur shikojnë prapa në dekadat e kaluara, shohin se kanë nevojë për një bazë më të madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që të përfundojnë negociatat për t’iu bashkuar strukturave euroatlantike”, tha ambasadori amerikan.

Ai pohon se të dyja palët duan që diçka të përmbushet, por gjithashtu thotë se të dyja mund të mësojnë shumë nga përvoja e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar.

Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka deklaruar për mediat se Kosova kërkon që edhe marrëveshja e edhe aneksi të zbatohen plotësisht dhe pa kushtëzime.

“Ne besojmë që marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, ndërkaq sekuencimi duhet të jetë i drejtë i balancuar dhe gjithpërfshirës”.

Këto si vlera gjejnë bazë tek vetë Marrëveshja, e cila edhe tekstualisht flet për pavarësinë e neneve prej njëra tjeterës dhe të cilat duhet të zbatohen pavarësisht njëra-tjetrës.” , shpreh tutje ai.

Para pak kohësh, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore.

“Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve.” – tha ai.

Madje, Escobar deklaroi ShBA-të dhe BE-ja u përkushtuan shumë për arritjen e marrëveshjes. Sipas tij, e njëjta që të bëhet realitet, duhet të fillojë Asociacioni, pra formimi i tij.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë.” – ishte shprehur ai.

Vlen të theksohet se në takimin e fundit të Nivelit të Lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, më 2 maj, u shpalua draft-Statuti i parë i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, i cili, parë nga pala kosovare, ishte tërësisht e në më se 60 pika, “i pa pranueshëm”.

Kurti e quajti “dëshirë të zjarrtë për Republika Srpska” në Kosovë dhe si të tillë “në themel anti-kushtetues”; ndërsa propozoi një, siç tha ai, “draft-Vizion” të paramenduar simbas modelit kroat për pakicën serbe atje; s’do shumë mend, e papranueshme për Vuçiqin.

Vuçiq, po atë ditë, tha se “e goditëm murin” sa i përket Asociacionit duke folur për atë se çfarë platforme ka ofruar Kurti. Ndërkaq, ndërmjetësit megjithatë, ndonëse vërejten se vizionet e palëve “s’kishin se si të ishin më të kundërta”, e quajtën “hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme