Lajme
Serbia pretendon se Bakoyannis “s’do të japë” opinion pozitiv për Kosovën në KiE
Demokracia
15:58 | 05 Mars 2024

Share:

Kryetarja e delegacionit permanent të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Biljana Pantiç-Pilja, pretendoi se Raportuesja e Komisionit të Çështjeve Politike të APKE-së, Dora Bakoyannis, s’do të japë opinion pozitiv për anëtarësimin e Kosovës pa përbushur “tri çështje kyçe” që lidhen me rrugëtimin e mëtejmë drejt KiE-së.

Në një prononcim për portalin në gjuhën serbe “Kosovo-Online” të martën, ajo deklaroi se Bakoyannis përsëriti “tri pika kyçe” për anëtarësimin e Kosovës në KiE: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ndalimi i shpronësimeve të tokave në komunat e banuara me shumicë serbe.

“Në një diskutim të nxehtë që zgjati për më shumë se një orë, përfaqësuesit e shteteve njohëse të pavarësisë së Kosovës, shprehën pakënaqësi të madhe me qëndrimin e saj të prerë se derisa të plotësohen tri kërkesat, ajo nuk do të japë opinion pozitiv, i cili është baza për pranimin e Kosovës në KiE”, ​​theksoi mes tjerash përfaqësuesja serbe në KiE.

Pantiç-Pilja përmendi edhe raportin e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI) kushtuar kontestit më të gjatë gjyqësor në Kosovë, ku thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në KiE.

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në KiE, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Të ngjashme